Komuna e Drenasit nderoi presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj duke i dedikuar titullin “Qytetar nderi i Komunës së Drenasit”, për kontribut të shquar për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Kryetari në këtë komunë, Ramiz Lladrovci derisa ka falënderuar presidentin Begaj për promovimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës, ka nënvizuar se roli i tij edhe gjatë kohës së luftës ishte i madh.
“President Begaj jeni në komunën me performancën më të mirë komunale në nivel vendi me vite me radhë, me transparencë e llogaridhënie për vendime demokratike dhe barazi para ligjit, në komunën që i dha shumë kombit e shtetit në liri e shtet ndërtim, komunë me perspektivë dhe investime në zhvillim…Ky jetëshkrim i shkurtër i juaji lidhet me epokën më të ndritur të Kosovës dhe popullit të saj. Karriera juaj profesionale dhe ushtarake lidhet me epokën e luftës tonë çlirimtare dhe shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës. Ju më së miri e njihni vullnetin e ushtarëve tanë që të shëroheshin sa më parë dhe të ktheheshin në vijat e frontit. Ju vlerësonit guximin e bijve tanë në rrugën për çlirimin e vendit, sepse njohët plagët dhe lotët tanë për më të dashurit tanë që nuk arritën të shohin Kosovën e lirë. Në duart tua shumë pacientë i hapën sytë, i trajtuat të plagosurit tanë, i ofruar shërim, shpresë e besim keni shëruar plagët e ushtarëve tanë baraz me armikun, mesin e tyre isha edhe unë…Ju çdo ditë po ngitni lartë çështjen e Kosovës në gjitha agjendat, brenda dhe jashtë saj. Me aleatët arritëm të fitojmë luftën, ndërsa tashmë lufta është të fitojmë paqen. Në po punojmë shumë për proceset integruese euroatlantike… Më shumë se kurrë na duhet unitet sepse jemi në shekullin tonë duke bërë pengesë e patejkalueshme për fqinjët që synojnë të na kthejnë në shekullin e kaluar”, ka thënë Lladrovci.
Duke folur për ata që dhanë shumë për liri, Lladrovci ka kujtuar edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët mbahen në Hagë.
Në anën tjetër edhe Presidenti Begaj, derisa ka falënderuar për titullin, ka theksuar se historia e Drenasit është histori krenarie, ndërsa ka thënë se qytetarët e saj kanë rol të rëndësishëm për gjithë vendin.
“Do doja që të ishin heronjtë e luftës dhe paqes që sot janë në Hagë që uroi të jenë sa më shpejtë afër vendit tyre, kanë dhënë shumëçka për këtë ditë, dhe nuk e meritojnë të jenë atje, nderimi parë shkon për ta…Është padyshim një nga momentet më të veçanta në jetën time. Drenasi është një vend me histori të pasur e zemër të madhe, ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës. Kjo tokë ka lindur heronjtë që kanë luftuar me guxim për gjithë shqiptarinë. I kam ende të gjalla sakrificat që kaluat gjatë përballjes me agresionin serb. Si çdo shqiptar patriot edhe unë dhashë ndihmën time modeste si mik, ajo që kam bërë nuk ishte detyrë, por diçka që buronte prej shpirti e zemre…Ky titull është motivim për mua dhe kujtesë se sa e rëndësishme është të punojmë së bashku për të patur një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Ne duhet me punë të palodhur e dashuri për atdheun, mund të ndërtojmë një Kosovë e Shqipëri shumë më të begatë e më të drejtë”, tha Begaj.
Ndërkaq, Begaj ka zhvilluar takim edhe në Qendrën për promovimin e të drejtave të grave në Drenas.
Ndërsa, do të bëjë homazhe në Gllanasellë, në të cilën do të vendosë kurora me lule.