“Profesor nderi” nga Kolegji AAB për Prof.Dr Agim Vinca

Fjala e Lulzim Tafës me rastin e nderimit me titullin “Profesor nderi” nga Kolegji AAB për Prof. Dr. Agim Vinca.

Kur fola, më thanë: hesht!
Kur heshta më thanë: fol!
Folehesht, heshtefol qe jeta ime.

Autori i këtyre vargjeve të bukura Poeti e miku im i madh Agim Vinca, as nuk ka fol kur i kanë thënë fol, e as nuk ka heshtë kur i kanë thënë hesht.

Ai ka folur gjithmonë kur ka dashur të flas, ka folur me zë të lartë, për ta dëgjuar të gjithë.

Ka fol kur ka qenë vështirë të flitet, ka fol në letërsi, por edhe në politikë e në jetën e përditshme.

Zëri i tij ka qenë i lartë e i fuqishëm dhe është dëgjuar gjithmonë, mospajtues dhe jo konformist, kryengritës e rebel i prajshëm.

Kjo e ka shquar atë që përbënë tanimë profilin e Agim Vincës.

Kjo e ka bërë gjithmonë të veçantë, figurën e tij shumë dimensionale.

Të nderuar miq,

Jemi në një moment shumë të bukur, jo vetëm për Profesor Agim Vincën, por për të gjithë ne.

Profesor Vincës pikërisht sot i shtohet edhe një 7-shte pas asaj shtatëshes së parë së femijerisë.

Tani mosha natyrore e tij përbehet prej dy shtatësheve, bëhet 77, janë dy shtatëshe kushtuar letërsisë, kushtuar Kosovës, kushtuar Kombit.

Profesor Vincën ka më shumë se tri dekada qe e njoh dhe e kam takuar, dhe ajo që e mbaj mend është se para se ta njoh dhe ta takoj personalisht Agim Vicen, e kam takuar një pjesë të krijimtarisë së tij, sidomos të poezisë.

Unë isha shumë i ri e student, e Agim Vinca ishte ky që është tani, poet e Profesor i respektuar i letërsisë, letërsisë së sotme.

Ai këtu e 31 vite me parë u be recensent i librit tim të parë, i gëzimit tim të parë, ishte lexuesi i parë profesionist i vargjeve të mija.

Tani me lejoni ta përgëzoj vetën që në atë kohë kam guxuar që me një tufë poezish në dorë, të shkruara me makinë shkrimi t’i drejtohem studiuesit më të njohur të poezisë, poetit Vinca, për tu bërë recensent i librit tim të parë.

Nga ajo kohë Profesor Vinca dhe unë jemi miq.

Unë dhe gjenerata ime e brezit emergjent të poeteve të viteve të 90-ta, Agim Vincën, ashtu si dhe Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Mirko Gashin, Rrahman Dedajne dhe krejt ketë brez të poetëve i idealizonim, gati sa edhe i adhuronim.

Prof. Vinca banonte në Ulpianë, ashtu edhe si Podrimja dhe disa poetë të tjerë të shquar dhe unë së bashku me mikun tim Poetin Sali Beqiraj sa herë kalonim rreth banesës ku banonte Profesori, thoshim “Këtu digjet Agim Vinça”.

Koha nuk ishte poetike, por ne ishim shumë Poetik dhe siç do ta thoshte vete Profesor Vinca, nganjëherë kemi “Nostalgji për kohërat e vështira”.

Përveç artit të tij të mirëfilltë, Vinca ashtu siç edhe tani kishte edhe një pamje impresive, të një shkrimtari me stil.

Më kujtohet një rast ne vitin 1995 një zotëri në rrugë më pyeti, a është Ky Rexhep Qosja i Malit të Zi, unë instinktivisht i thash, Ky është Rexhep Qosja i Maqedonisë, ngase Prof. Vinca e Prof. Qosja përngjanin bukur shume në dukje.

Natyrisht qe as Rexhep Qosja as Agim Vinca nuk i përkasin vetëm vendlindjeve të tyre por na përkasin të gjithë neve, i përkasin Kombit.

Vinca ishte model për mua dhe gjeneratën time.

Detajist deri në perfeksion, jo i lehtë në bashkëbisedim, i pa kompromise me vlera, por kurrë askujt pa i hyrë në hak.

Këto cilësi e përbëjnë personalitetin e Agim Vincës, të cilit sot i uroj nga zemra edhe shumë datëlindje të tjera bashkë me familjen e tij të mrekullueshme, që edhe unë i kam miq, Zonjën Flutura, Drilonin, Shpëtimin dhe Doruntinën.

Profesor të dëshiroj jetë të gjatë e të lumtur, të falënderoj për bashkëpunimin korrekt që kemi për tri dekada, të falënderoj për modelin e intelektualit e mësimdhënësit të pakrahasueshëm.

Dua ta falënderoj edhe AAB-në që gjithmonë është e vëmendshme për këto data të rëndësishme, siç është kjo sot për këtë personalitet të madh të artit kulturës.

Faleminderit!

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA