Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Komunën e Mitrovicës së Veriut pasi gazetari i Agjencisë së Lajmeve KosovaPress Alidin Damati është dëbuar nga objekti komunal.
Truproja e kryetarit të Komunës Erden Atiq, pas një polemike gjatë pauzës së seancës se Kuvendit Komunal në mes të gazetarit dhe kryetarit të kësaj komune, duke e kapur në kraharor gazetarin, i bën me shenjë që ky i fundit duhet të del jashtë.
Duke mos u mjaftuar me kaq, shefi i kabinetit të kryetarit Visar Syla, gjithnjë me urdhër të kryetarit Erden Atiq, urdhëroi sigurimin e objektit që gazetarit të KosovaPress-it të mos i lejohet hyrja pas pauzës.
Shkak i krejt kësaj situate ishte një deklaratë e njërës prej këshilltarëve dhënë gazetarit jashtë sallës, përkatësisht në njërën prej korridoreve të objektit të komunës, derisa seanca zhvillohej brenda në sallë. Më pas, mësohet se të gjitha mediat nuk janë lejuar ta përcjellin seancën me arsyetimin se ajo duhet të vazhdojë e mbyllur. /KP/