Përgatiti: Haris Ademi
Në këso forme, kryeministri Albin Kurti i zhvillon bisedat në distancë me politikanë ndërkombëtarë.
Të njëjtën metodë komunikimi përmes teknologjisë, presidentja Vjosa Osmani po konsideron se do të mundë ta kishte përdorur Kurti, apo ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për t’u konsultuar për idenë e dërgimit të letrës në Këshillin e Evropës, më 16 maj, kur ajo ndodhej për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes letrës dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, kryediplomatja Gërvalla zotohej për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit, deri në fund të majit.
Presidentja pohoi se kjo i prish punën dhe përpjekjet e bëra që nga arritja e marrëveshjes së Brukselit.
“Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët”, tha Osmani.
Disa orë para këtij deklarimi, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se nuk ka qenë mungesë e vullnetit të Qeverisë dhe MPJ-së të koordinohet me Presidencën, por ka ndikuar distanca.
“Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Jashtme, e kjo mua kam hamendësua që ka mundur të ndodhë për shkak të vizitës që ajo e kishte në ShBA e për shkak të largësisë me siguri”, tha Konjufca.
Por, presidentja shtroi një dilemë, si letra e Gërvallës ra në duar të personave jozyrtarë, para institucioneve të shtetit.
“Në qoftë se tema paska qenë te mosprezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë, e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botoi atë në Twitter”, tha Osmani.
Pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, Ministrja Gërvalla, një ditë më vonë, pohoi se letra ku ajo është zotuar për dërgim në Gjykatë Kushtetuese të projekt statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, thjesht nuk ka më relevancë.