Përgatiti: Krenare Mulliqi
Shpërndarja e Kuvendit, si opsion për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, më nuk është e mundur.
Derisa thekson se është i befasuar me vendimin e LDK-së dhe AAK-së, që të mos e përkrahin thirrjen e PDK-së, për koordinim në lidhje me këtë proces, Krasniqi thotë se veprimi i tyre nuk mund të arsyetohet, duke shtuar se këto dy parti mbase nuk janë të gatshme për zgjedhje.
“E kam të vështirë të kuptoj dhe të arsyetoj opozitën se si Qeveria thotë hajde shkojmë në zgjedhje e opozita thotë rrini deri në fund të mandatit”, tha Krasniqi.
Krasniqi, po ashtu, tha se kjo ishte e vetmja mundësi e artë, që Qeverisë Kurti t’i ndërpritet mandati dhe ka mohuar një koalicion të mundshëm mes partisë së tij dhe Vetëvendosjes.
Për moskonsensusin e partive opozitare, gjatë të mërkurës foli edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Partia Demokratike e Kosovës kishte thënë se 30 maji do të ishte data e fundit për ta shpërndarë Kuvendin, që më pas zgjedhjet të mbahen më 30 qershor, ose 7 korrik.
Mirëpo, kundër shpërndarjes së Kuvendit kanë qenë vazhdimisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti këto që insistuan në dorëheqje të kryeministrit Albin Kurti.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: