Përgatiti: Sara Shehu
Radhët e gjata të pacientëve për konsulta mjekësore vazhdojnë të shkaktojnë tollovi në korridoret e Ambulancave Specialistike të Qendrës Klinike Universitare Kosovës.
Megjithatë, brenda një muaji në këtë ambulancë realizohen rreth 3000 shërbime mjekësore.
“Ka raste që hyjnë me të njohshëm, pra kur pacienti hyn pa rend nga stafi mjekësor, megjithatë është normale pasi që ne jemi kosovar. Por këto pritje të gjata duhen të largohen, duhet t’i shkurtojnë. Normal që po ikin edhe mjekët se as paga mjaftueshëm s’ka”, thotë një pacient.
“Ndodh që nuk respektohet orari i punës, por në të gjitha institucionet duhet të respektohet diçka që marrim përsipër. Por ja që edhe këtu ndodh edhe kjo”, thotë tjetër një pacient.
Lidhur me situatën, Drejtoria e ShSKUK-së, nëpërmes një përgjigje me shkrim, i ka thënë ATV-së se kërkesat për të marrë shërbime mjekësore janë të mëdha. Por sqarime nuk u dhanë rreth dyshimeve se rregullat e punës shkelen nga vetë punëtorët shëndetësorë.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, si qendra e vetme terciare në vend, është e mbingarkuar sa u përket kërkesave për të marrë shërbime ambulantore specialistike mjekësore. Në të gjitha ambulancat specialistike ka vizita nga pacientë të ndryshëm të qyteteve të Kosovës, andaj ekziston edhe mbingarkesa”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së ShSKUK-së.
Caktimi i terminit në Ambulancat Specialistike bëhet për 16 klinika, përmes pranisë fizike të pacientëve. Kurse në ambulancën specialistike të Otorinolaringologjisë dhe të Oftalmologjisë mund të bëhen me telefon, por sipas pacientëve metoda nuk është efikase.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: