Përgatiti: Driton Sadiku
Qytetarët që i vizitojnë vendet e huaja, do të mund të blejnë më shumë gjëra, pa paguar doganë. Me kodin e ri doganor që filloi së zbatuari nga e hëna, limiti i vlerës së mallrave të importuara, pa kosto doganore pothuajse është dyfishuar.
“Sa u përket qytetarëve, në aspektin e importit të mallrave është rritur pragu pra në rrugë tokësore, në 300 euro nga 175, derisa në rrugë ajrore është shkuar deri në 400 që qytetarët mund të sjellin mallra”, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës.
Edhe për produktet që blihen online nuk do të duhet të paguhet kosto doganore, derisa nuk kalojnë vlerën 35 euro. Kodi i ri, sipas Stavilecit, parasheh lehtësira edhe për bizneset duke i thjeshtuar procedurat doganore.
“Janë në dobi të bizneseve sepse redukton barrën e shpenzimeve duke përmirësuar efikasitetin e kontrolleve që ne zhvillojmë, gjithashtu përcakton afate strikte për doganën për nxjerrjen e një vendimi që një qytetar apo palë të ketë një afat se në sa ditë e merr përgjigjen”, tha Stavileci.
Megjithëse, thotë se ndryshimet janë të mirëpritura, ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, shtoi se është dashur më shumë komunikim me komunitetin e bizneseve.
“Janë krijuar disa lehtësira sa iu përket kufizimeve dhe në përshpejtim të disa procedurave, por besoj që esenca duhet të jetë që në të ardhmen nëse mendojmë ta mbështesim sektorin privat të eliminohet pagesa e obligimeve në kufi, duhet të kalohet në grumbullim të tatimit në brendi”, tha Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, shteti duhet të punojë më shumë për heqjen e akcizës, meqë pagesa për doganë e akcizë vetëm se dëmton bizneset e ndihmon bankat komerciale.
Sipas doganës, kodi i ri doganor synon modernizimin e sistemit doganor, derisa thotë se është në harmoni edhe me kodet e Bashkimit Evropian.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: