Përgatiti: Fatlum Jashari
Mbyllja e filialeve të Bankës Kursimore Postare të Serbisë, krahas konfiskimit të miliona dinarëve dhe eurove, ndikoi në procesin e përmbylljes së raportit të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për heqjen eventuale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Këtë e konfirmoi zëdhënësi për punë të jashtme dhe siguri i bllokut 27-anëtarësh, por pa treguar nëse dokumenti do të finalizohet para zgjedhjeve evropiane, të cilat do të mbahen nga 6 deri më 9 Qershor.
“Po, sigurisht. Masat ishin prezantuar si përgjigje ndaj hapave të pakoordinuar, të njëanshëm, që çojnë në eskalim të mëtejmë dhe nuk ndihmojnë deeskalimin. Ato ishin prezantuar me qëllim që të motivojnë autoritetet kosovare që të punojnë për deeskalim. Kështu që, sigurisht, gjithçka që po ndodh në terren dhe që ka ndikim negativ në përpjekjet që çojnë në de-eskalim, po shënohet dhe po përfshihet në raport”, tha zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.
Dy javë para aksionit në veri, BE-ja kishte njoftuar se Borrell “është në prag të përmbylljes” së dokumentit.
Pasi theksoi se shtensionimi ishte kërkesë kryesore e BE-së, politologu Fidan Ukaj shtoi se zhvillimet e fundit mund të shtyjnë vendimmarrjen për masat.
“Veprimi i kryeministrit Kurti, i cili mendoj se më shumë ishte kamuflim i dështimit në rrugën e Kosovës për në Këshillin e Evropës dhe vendimi i ngutshëm për të ndërmarrë veprime për të mbyllë, me të drejtë, disa banka që kanë qenë ilegale dhe sigurisht që duhej të mbylleshin, por jo në këtë kohë, mendoj se ka qenë një veprim i gabuar i institucioneve të Kosovës e që mund të reflektojë në raportin e z. Borrell”, tha Ukaj.
Pritja e Kosovës për të ri-fituar qasje në fondet e pezulluara nga BE-ja, sipas Ukajt, mund të zgjasë deri në një konstatim për deeskalimin e plotë.
“Nëse eventualisht evidentohet se ka pasur një tensionim të situatës, atëherë BE-ja do të presë shtensionimin e situatës dhe përmbushjen edhe të kësaj pike ose akordimi të mëhershëm. Sigurisht se do të marrë kohë, për shkak edhe të zgjedhjeve në BE”, tha Ukaj.
Për shfuqizimin eventual të masave të vendosura nga Qershori i vitit të kaluar, Borrell duhet t’u paraqesë përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së një raport me një rekomandim të tillë.
Të hënën, u mbajt takimi i ministrave të jashtëm – por raporti nuk ishte gati. Ndërsa, takimi i radhës i krye-diplomatëve të 27 shteteve të bllokut evropian mbahet në fund të Qershorit.
Me mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri, më 21 Prill, proces i bojkotuar nga Lista Serbe, Qeveria konsideron se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: