Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Nga Kuvendi i Kosovës është kërkuar përmirësim i Projektligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave, pasi të hënën u publikua edhe opinioni ligjor i përgatitur nga Këshilli i Evropës. Sipas Këshillit të Evropës, disa aspekte të projektligjit nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane, derisa dokumenti mban datën e 24 majit.
Si pjesë të rekomandimeve Këshillin i Evropës propozoi të qartësohen kërkesat për licencim dhe regjistrim – në përputhje me standardet evropiane, të rritet transparenca e pronësisë së medias, të krijohet një fondi për mbështetjen e medias e të tjera.
Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, ishte miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të shkuar, derisa u votua edhe nga Kuvendi në lexim të parë.
Ky projektligj, mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.
Qysh atëherë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kërkuan nga Qeveria të heqë dorë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar si “sulm mbi mediat”.
Përmirësimet eventuale gjatë ditës janë shqyrtuar edhe nga Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nga ku u tha se rekomandimet e Këshillit të Evropës do të merren parasysh.
Edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, dha disa rekomandime.
Duke kërkuar nga Kuvendi ta përmirësojë projektligjin për KPM-në, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në reagimin e vet pas publikimit të opinionit të Këshillit të Evropës, rikujtoi se Kosova ka shënuar rënie alarmante në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, për 19 vende dhe pikërisht nisma për të ndryshuar Projektligjin e KPM-së kontribuoi në këtë.





