Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Më shumë punë është kërkuar nga Kosova, për Strategjinë e Energjisë nëse vendi dëshiron të afrohet edhe më shumë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në tryezën e organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike me temën “Strategjia e Energjisë dhe rruga drejt se ardhmes energjetike të Kosovës”, mes tjerash u theksua edhe për politikat energjetike dhe harmonizimin e tyre me standarde evropiane.
“Institucionet e Kosovës e kanë miratuar strategjinë e energjisë të Republikës së Kosovës për 2022/31 me synimin e adresimit të furnizimit energjetik dhe sfidat që kanë të bëjnë me politikat energjetike dhe harmonizimin e tyre me standardet evropiane”, tha Leonora Kryeziu nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike.
Gjatë prezantimit të “Strategjisë së Energjisë së Kosovës 2022-2031”, u tha se rruga drejt kësaj ka dy anët e medaljes.
“Kjo do të jetë sfiduese, por njëkohësisht është e domosdoshme për Kosovën…”, tha ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Carin Lobbezo.
Ndërsa, Anita Baraliu, ekonomiste e hulumtuese shkencore, tha se kjo strategji kërkon përkushtim maksimal për disa arsye.
“Strategjia e Energjisë përbëhet nga 5 objektiva kryesore, ato janë mjete të formuluara dhe tregojnë një progres të madh, në krahasim me Strategjitë e mëparshme”, tha Baraliu.
“Strategjia e Energjisë së Kosovës 2022-2031”, është miratuar më 8 mars të vitit të kaluar.