Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi Izraelin që “menjëherë të ndalë” ofensivën e tij ushtarake në Rafah, në jug të Gazës.
Gjykata tha se ky urdhër vjen për shkak të “rrezikut të menjëhershëm” me të cilin përballen palestinezët, raporton REL.
Afrika e Jugut i kishte kërkuar gjykatës, me seli në Hagë, që të urdhërojë ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah dhe tërheqjen e trupave nga i gjithë Rripi i Gazës.
Afrika e Jugut po e akuzon Izraelin për gjenocid, ndërsa avokatët e saj kërkuan nga gjykata javën e kaluar të vendosë masa urgjente.
Ata thanë se sulmet izraelite në Rafah duhen ndalur për të siguruar mbijetesën e popullit palestinez.
Vendimet e kësaj gjykate e cila është organi më i lartë i OKB-së për mosmarrëveshjet midis shteteve, janë përfundimtare dhe detyruese, por janë injoruar në të kaluarën.
Izraeli vazhdimisht i ka kundërshtuar akuzat për gjenocid, ajo ato i ka cilësuar si të pabaza.
Shteti i cili po akuzohet për vrasjen e civilëve, ka thënë në gjykatë se operacionet në Gaza janë vetëmbrojtje, dhe sipas saj synojnë militantët e organizatës Hamas, të cilët sulmuan Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar.
Një zëdhënës i qeverisë izraelite, tha dje se “asnjë fuqi në tokë nuk mund ta ndalojë Izraelin të mbrojë qytetarët e saj dhe të ndjekë Hamasin në Gaza”.






