Përgatiti: Kastriot Tahiri
Babë e bir, të familjes Qena nga Romaja e Prizrenit, kanë mbetur të plagosur, pas një konflikti me anëtarë të familjes Likaj, nga fshati Krajk.
Sipas informacioneve fillestare, anëtarët e të dy familjeve ishin takuar në Gjonaj të Prizrenit, ku edhe ndodhi plagosja.
Fillimisht ata ishin rrahur e më pas ishte përdorur edhe arma.
Të plagosurit, sipas Shefit të emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, janë jashtë rrezikut për jetë.
Personat e përfshirë në këtë incident, që besohet të jenë 11, janë të njohur për policinë e Kosovës, për shkak të kaluarës së tyre.
Deri të enjten pasdite, sipas policisë, vetëm një person është arrestuar.
Ndërkaq, Prokuroria e Prizrenit e konfirmon për ATV-në se i dyshuari A.L, është dërguar në mbajtje.
Është arrestuar A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Tentim vrasje”, nga neni 172, lidhur me nenin 28 dhe 31, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ai, me vendim të prokurorit, gjendet në ndalim 48 orësh. Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, brenda afatit ligjor, për të dyshuarin A.L., do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Prokuroria në bashkëpunim me Policinë, janë duke ndërmarrë veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin.
ATV-ja po ashtu merr vesh se edhe në të kaluarën, familja Likaj e Qena kanë pasur mosmarrëveshje.