Përgatiti: Kastriot Tahiri
Maturantët i kanë ditët e fundit në shkollë, ngase të premten përfundon mësimi për ta.
Derisa iu kanë mbetur edhe pak javë para provimit të maturës shtetërore, Ministria e Arsimit ka marrë një vendim të ri për ta.
Sipas këtij vendimi, dy javë para datës së provimit, nxënësit duhet të regjistrohen në platformën eKosova, duke paraqitur kështu edhe provimin e maturës.
“Zakonisht shënimet i kemi marrë nga komunat në formatin Exel, kemi vendosur që këtë vit të aktivizojmë përmes platformës eKosova një aplikacion ku nxënësit vetë do të aplikojnë, kurse shkolla do ta bëjë pranimin e atyre aplikacioneve dhe qendra do t’i ketë në kohë reale të dhënat. Aplikacioni do të duhet 2 javë para provimit, nga 1 qershor deri në 10”, tha Fatmir Elezi nga MASHT.
Edhe menaxhmentet e shkollave tashmë janë të informuar për vendimin e Ministrisë së Arsimit.
“Ne kemi marr e-mail zyrtar, për testin e maturës për aplikimin online, mendoj që është një nismë e mirë se çështjet administrative zvogëlohen dhe është një qasje e drejtpërdrejtë e fëmijëve në aplikimin e tyre. Ne e kemi shpërnda tek koordinatorja dhe përmes saj e kemi bërë të njohur te të gjithë maturantët”, tha drejtori i shkollës “Dr. Ali Sokoli”, Fatmir Bujupi.
“Përmes kujdestarëve të klasës e kemi shpërnda njoftimin te nxënësit. Ende është duke u planifikuar një takim në mënyrë që neve të na njoftojnë se si do të jetë procedura e më pas ne ta dërgojmë atë te nxënësit”, tha Albana Musa, sekretare në gjimnazin “Xhevdet Doda”.
Mirëpo, nxënësit frikësohen se mund të kenë telashe gjatë aplikimit.
“SI vendim i ri besojmë që është i mirë, por ka edhe anët negative, është pak më vështirë sepse është procedurë për nxënësit që nuk dinë me apliku”, tha Sara Qeshko, maturante.
Ndërkaq, njohësi i arsimit, Argjend Osmani, thotë se Ministria e Arsimit do të duhet të punonte më shumë në parandalimin e kopjimit në provimin e maturës shtetërore.
“Ministria me një fjalë po shet inovacione në gjana periferike, por do të duhej të ishte inovative në gjëra thelbësore të punonte në përmirësimin e kushteve të mbajtjes së provimit, të punonte në eliminimin e kopjimit masiv, shpërndarjen e testeve, por që aplikimi do të jetë online nuk do të ketë fare ndikim në organizimin e testit të maturës”, tha Osmani.
Këtë vit provimit të maturës pritet t’i nënshtrohen rreth 25 mijë maturantë.