Përgatiti: Driton Sadiku
Pothuajse çdo ditë në adresë të policisë ka raportime për dhunë në familje.
Por të shpeshta janë edhe rastet kur deklarata e viktimës del përtej stacionit policor, e bëhet publike për media.
Për këtë është në dijeni edhe inspektorati policor, por sipas tij, këto raste janë zor të vërtetueshme.
“Është tepër sfiduese, kemi disa raste që i kemi iniciuar dhe kemi zhvilluar hetime, është problematikë për me arritë me vërtetu, por gjithashtu është temë që nuk e kemi harru dhe jemi duke punuar që me marrë masa”, tha kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor, Kushtrim Hodaj.
Kësisoj, vetëm një rast është evidentuar nga ana e inspektoratit si “zbulim i fshehtësisë zyrtare”, gjatë vitit të kaluar.
Një gjë e tillë kritikohet edhe nga ana e juristëve meqë thonë se publikimi dëmton viktimën.
“Konsideroj se është e dëmshme edhe për viktimën. Këto raste kur paraqiten në publik veçse po dënohet personi nga ndjekësit e lajmeve me komente të ndryshme”, tha Halit Shaljani, avokat.
Nga Asociacioni i Gazetarëve thanë se kjo çështje asnjëherë nuk është diskutuar nga ana e anëtarëve të bordit, pasi, sipas tyre, për këto raste vendosin vetë mediat, në bazë të politikave të tyre.
Rastet e zbulimit të identitetit dhe deklaratës së viktimës, thonë se ndikojnë negativisht në raportimet e rasteve në polici, nga frika se mund të zbulohen.






