Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Dragashi është komuna e vetme deri tani, e cila pak ditë para përfundimit të regjistrimit të popullsisë, ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e këtij procesi edhe për një kohë.
Agjencia e Statistikave pret kërkesa të ngjashme edhe nga komunat e tjera, por ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit, Avni Kastrati, thotë se nuk ka arsye të qëndrueshme që procesi të mos mbyllet më 17 maj.
“Dragashi ka thënë se ka sfidë me regjistrimin e komuniteteve, por nuk do të shtyhet pa ndonjë arsye specifike, që do të thotë jemi optimistë se procesi do të përfundojë me kohë…”, tha Kastrati.
Sfidë në gjithë territorin, sipas Kastratit, ishte dorëheqja e anketuesve në fillim të procesit, për çka ASK-ja u detyrua t’i shfrytëzojë edhe regjistruesit rezervistë, që përbënin 22% të stafit.
“E kanë parë gjatë punës që nuk është edhe e lehtë, disa janë tërheqë, por kemi pasë rezerva, i kemi shfrytëzuar që të gjithë…”, tha Kastrati.
Deri të hënën, janë regjistruar mbi 1.4 milion banorë rezidentë në Kosovë.
Ndërkaq, 400 mijë të tjerë janë regjistruar nga diaspora, në platformën online.
Udhëheqësit e Agjencisë së Statistikave besojnë se të dhënat nga regjistrimi i popullsisë do të jenë më të sakta se ato të vitit 2011, për shkak të zhvillimit të teknologjisë.






