Përgatiti: Nora Luta
Pasuria e sekuestruar e të dyshuarit kryesor për rastin Banjska, Milan Radojicic, është vënë në dispozicion për shfrytëzim nga shteti.
Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të aseteve të sekuestruara, pas plotfuqishmërisë së urdhrit ndalues përfundimtar.
Aty përfshihet vila te Ujmani në Zubin Potok, banesa “Penthouse” dhe restoranti “Grey” në Mitrovicë të Veriut, përfshirë edhe zyrën si aneks i këtij restoranti.
Sipas KGJK-së, gjykata pas kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar ka dhënë pëlqim që ato të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ndërsa, urdhrat ndalues ia ka dërguar edhe Odës së Noterëve dhe Agjencisë Kadastrale, në mënyrë që të mos lejohet ndryshimi i pronësisë deri në përfundim të procesit gjyqësor.
“Gjykata, pas plotfuqishmërisë së urdhrave ndalues, me të cilat janë ndaluar përfundimisht astet e lart-theksuara (vila, banesa dhe restoranti me aneksin e tij) me datë 25.03.2024, këto urdhra ia ka dërguar për ekzekutim Odës së Noterëve të Kosovës, Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencisë për Menaxhimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Gjykata me datë 26.04.2024, sipas kërkesës së Agjencisë për Menaxhimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka dhënë pëlqimin e lëshimit me qira të këtyre aseteve, pasi që nga kjo agjenci si kompetente për administrimin e këtyre aseteve është vlerësuar se forma më e duhur për administrimin e këtyre aseteve është dhënia me qira e tyre”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Në rastin e Banjskës, Gjykata ka bërë edhe konfiskim automatik.
“Gjykata, në këtë rast ka bërë konfiskimin e përhershëm (automatik) dhe sekuestrimin e përkohshëm të aseteve sipas urdhrit ndalues përfundimtar deri në marrjen e vendimit final lidhur me këto asete. Gjykata konfiskim automatik ka bërë të armëve, municioneve (respektivisht armatimit) të përdorur e të kapur në vendin e ngjarjes, e po ashtu edhe të veturave të përdorura në këtë sulm të armatosur-terrorist, si mjete jashtë qarkullimit dhe qenësisht të rrezikshme për siguri”, thuhet më tej në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
E vila, për të cilën ministri Xhelal Sveçla pati thënë se do të mund të shfrytëzohet si stacion policor, vazhdon të sigurohet nga Policia.
Nga Agjencia përmes një përgjigjeje me shkrim i kanë thënë televizionit se vlerësimi i aseteve është ende në fazën e vlerësimit dhe sekuestrimit, dhe se për këtë ende nuk ka ndonjë vendim për dhënie në shfrytëzim.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale është duke vazhduar hetimin lidhur me sulmin terrorist-paramilitar në Banjskë, ndërsa tre të arrestuarit janë në paraburgim.
Vladimir Tolic, Dusan Maksimovic, Milan dhe Blagoje Spasojevic, siç kupton televizioni janë intervistuar nga Prokuroria Speciale në fund të muajit të kaluar, por kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Përgjegjësinë për udhëheqjen dhe organizimin e sulmit më 24 Shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku, disa ditë pas ngjarjes e mori atëkohë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.





