Përgatiti: Nora Luta
I arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në fund të janarit, bashkëpunëtori profesional në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Deli Halili, e ka pranuar fajësinë gjatë intervistimit në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
Kësaj prokurorie, ku u transferua rasti dy javë pas arrestimit, mbrojtja e Halilit i ka propozuar negocim për pranim të fajësisë.
Por Halili, dyshohet se nuk i ekzekutoi vendimet për burgim, në bashkëkryerje me referentin të po të njëjtës gjykatë, Ismajl Ismajli, dhe për këtë, sipas avokatit Berat Tmava, ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim.
“Me datë 20.03.2024, i mbrojturi im ka dhënë deklaratën e tij dhe në tërësi e ka pranuar fajësinë për veprën penale që e ngarkon Prokuroria, ndërsa për sa i përket propozimit për negocim lidhur me pranimin e fajësisë, meqenëse, sipas prokurorisë, vepra penale dyshohet se është kryer në bashkëkryerje, Prokuroria nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim që të iniciojë këtë propozim”, tha Berat Tmava, avokat i Deli Halilit.
Halili, bashkëpunëtor profesional, e Ismajli referent në Zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po hetohen rreth dyshimeve se në nëntë raste nuk i ekzekutuan vendimet për burgim.
Hetimet dhe intervistimin e tyre e ka konfirmuar në një përgjigje me shkrim Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila ka kërkuar që t’u vazhdohet masa e paraburgimit.
“Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prizren ju konfirmon se, ndaj të pandehurve D.H., dhe I.I., është iniciuar hetimi formal sipas Aktvendimit për fillimin e hetimeve. Ata janë dëgjuar nga Prokurori i shtetit në prezencën e mbrojtësve të tyre lidhur me dyshimin e arsyeshëm se në bashkëveprim, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Të pandehurit në fjalë vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e paraburgimit, sepse ende vazhdojnë të qëndrojnë shkaqet dhe arsyet ligjore të parapara me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale për të cilat edhe u është caktuar kjo masë”, tha Fitore Mehmeti nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Ndërkohë, kërkesa është aprovuar nga Gjykata e Prizrenit, e cila nën arsyetimin se nëse lihen në liri ndër të tjera do të mund të ndikonin në dëshmitarë, të cilëve dyshohen se u kanë kryer favore, ua vazhdoi masën edhe për një muaj.
“Ekziston rreziku se mund të bashkërendojnë deklaratat e tyre, si dhe të fshehin, asgjësojnë apo ndryshojnë provat eventuale të rastit, andaj vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm në këtë fazë. Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat po dyshohen, i cili dyshim rrjedh nga provat materiale të siguruara deri në këtë fazë, siç janë deklaratat e të pandehurve, dosjet penale të të dënuarve, foto-dokumentacionet dhe shkresat e tjera të lëndëve”, tha Marcel Lekaj, udhëheqës i Zyrës për Informim .
Vazhdimin e paraburgimit, përveç avokatit të Halilit, e ka kundërshtuar në Supreme, edhe ai i Ismajlit.
Dy zyrtarët e Gjykatës së Prishtinës u arrestuan më 29 janar, nën dyshimet se në kuadër të punëve në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale, mbajtën fshehtë, duke mos i ekzekutuar vendimet për burgim, të paktën në nëntë raste, me qëllim të përfitimit material.





