Përgatiti: Armand Hoti
Tre nënkryetarët serbë të komunave veriore, do t’i gëzoheshin anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Nënkryetarët e Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, ia thanë këtë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në takimin e mbajtur të mërkurën.
“Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe, më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa, gjithashtu”, tha Kurti.
Kurti, të mërkurën, takoi edhe ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, nga i cili mori zotimin për mbështetje nga Republika e Turqisë për votimin e ardhshëm në Komitetin e Ministrave, ku do të vendoset pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në KIE.
Në mes të prillit, shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Sipas përpilueses së këtij raporti, deputetes greke, Dora Bakoyannis, Kosova është kandidati të cilit i është dashur të bëjë më së shumti punë që kandidatura t’i sillej për diskutim.
“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të bëjë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”, tha Bakoyannis.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022.
Ndërkaq, këtë muaj, do të mbahet mbledhja e komitetit të ministrave, me ç’rast Kosovës i duhen 2/3 e votave nga 46 vendet anëtare, për t’u pranuar si anëtare e plotë.





