Banorët e fshatit Stankaj të Komunës së Pejës, qysh në orët e hershme erdhën t’i ankohen ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe infrastrukturës, Liburn Aliu, për një problem që kanë me ujin e pijshëm.
Ata janë kundër nismës së Komunës që t’ua marrë burimin e ujit nga i cili furnizohen rreth 200 shtëpi të fshatit të tyre, për t’i furnizuar fshatrat e tjera.
“Burimin e vetëm që e kemi në fshat, kryetari i Komunës me do bashkëpunëtorë të vet për interesa të ngushta të vetat, gjysma e fshatit nuk ka furnizim prej atij burimi. Jemi pa ujë. Ai do me e çua për biznese të vetat”, tha Isuf Lulaj, përfaqësues i fshatit.
Banoret thonë se do të pajtoheshin me vendimin e Komunës nëse fillimisht zgjidhet problemi i ujit të pijshëm për fshatin Stankaj.
“Këta janë ka dojnë me na marrë ne e me na lonë. Na jemi katund bukur i madh e le t’na furnizon neve, nuk jemi kundra, tepricën ta çojnë kah të dojë, nuk jemi kundër kurkujt mos me ia dhanë ujin”, tha Bal Hysnikaj, banor.
“Nuk jemi kundër me u dhanë ujin, por nuk kemi për vete na. Qata ujë me u furnizua, jemi shumë shtëpi, na nuk jemi kundër, ata po mendojnë me e ndalë ujin e me ua dhanë tri katundeve. Le t’na jep ujë neve sa na duhet neve, nuk jemi kundra”, tha Musë Lulaj, banor.
Kërkesa për një takim me ministrin Liburn Aliu, kishin bërë edhe më herët. Por, nuk ishin pranuar para kësaj proteste.
Megjithatë, as sot ministri nuk ishte në zyrë.
“Tash ishim në një takim, po u dashke dhe u bindëm që po u dashka me e bon një protestë për me u taku me pushtetarët. Edhe pse i kemi dy kërkesa që i kemi bo dhe nuk na kanë kthye përgjigje, sot na pranun, ky Zogiani. Na premtuan që kanë me u marrë me këtë problem, na i morën edhe numrat e telefonit dhe ata morën përsipër gjithçka, për mos me na lanë me shkua te një e keqe. Tash po e shohim se çka po bojnë. Këta na premtuan që kanë me bo çmos mos me na lanë me shkua te ndonjë ngatërresë”, tha Isuf Lulaj.
Gjatë ditës, ATV-ja ka provuar të marrë përgjigje nga Komuna e Pejës, lidhur me kërkesat e banorëve të fshatit Stankaj dhe për projektin e komunës, por askush nga ky institucion nuk është përgjigjur. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: