Një ditë pas takimit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vucic, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pret që palët të kenë progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas diplomatit amerikan, zbatimi i marrëveshjes së Ohrit fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Elementet e rëndësishme u diskutuan dhe tani u përket kryenegociatorëve që të lëvizin para dhe të fillojnë të krijojnë një statut të zbatueshëm. Pritjet tona janë që brenda dy javëve të ardhshme, kryenegociatorët të takohen për të diskutuar përsëri për këtë proces. Ky proces është shumë i rëndësishëm, është shumë e rëndësishme që të dyja palët, posaçërisht Kosova, ta trajtojë seriozisht dhe që në mënyrë të përshpejtuar ta kryejë këtë proces”, tha Escobar.
Teksa propozimet për Asociacion të shpalosura në Bruksel nga Ekipi Menaxhues në njërën anë dhe kryeministri Albin Kurti në anën tjetër, i vlerësoi propozime serioze, Escobar dha se nuk ka presion mbi palët.
“Nuk ka presion në njërën palë që në mënyrë të njëanshme ta pranojë tjetrën. Ky duhet të jetë një statut i negociuar, duhet të jetë një që mbron të drejtat e minoriteteve, veçanërisht të pakicës serbe në Kosovë, ky është synimi ynë. Objektivi ynë është që ta përdorim asociacionin si platformë për serbët etnikë, që të kenë jetë qytetare dhe demokratike në Kosovë”, theksoi Escobar.
Në një takim virtual me gazetarë, përfaqësuesi amerikan u shpreh i lumtur që palët arritën ta miratojnë deklaratën për personat e zhdukur, derisa pret avancim në sfera të tjera, përfshirë edhe energjinë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: