Situata në veri të Kosovës mund të përkeqësohet.
Sidomos, pas zgjedhjeve në katër komunat në këtë pjesë të vendit dhe pas vendimit të Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut për hapjen e urës së Ibrit.
Këtë thotë se e ka parasysh edhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme, Josep Borell, teksa pohon se po mundohen t’i bindin palët ta shmangin përshkallëzimin e situatës.
“Zgjedhjet nuk ofrojnë një zgjidhje politike afatgjatë, përkundrazi kanë potencialin të çojnë në përshkallëzim dhe të minojnë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Kjo nuk është ajo që ne duam të ndodhë, por ekziston një rrezik i madh, dhe për këtë arsye unë u kam kërkuar të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje që u mundëson serbëve të Kosovës të kthehen shpejt në institucionet, nga të cilat u larguan në nëntor të vitit të kaluar”, tha Borell.
Zgjidhje nuk u gjet mbrëmë në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.
Në këtë takim, krahas kthimit të serbëve në institucione, sipas njohësve të sigurisë, kërkesë tjetër ka qenë edhe largimi i njësisë speciale nga veriu.
“Çështja e kërkesës së Borellit është pika e tretë e kërkesës së listës serbe që nga pjesa veriore të minimizohen strukturat e sigurisë së shtetit të kosovës, pra njësitë speciale të largohen dhe pika e kontrollit mbi urën e bistricës, ajo të mënjanohet dhe kështu do t’i mundësohet aktivizimi i grupeve kriminale dhe vazhdimi i aktiviteteve të tyre”, tha Drizan Shala, ekspert i çështjeve të sigurisë.
Megjithatë, sipas një deputeti opozitar, çdo lloj tensioni në veri është i orkestruar nga dy liderët, pasi ashtu fitojnë poenë politikë.
“Mbijetesa në politikë, edhe e Vucicit edhe e Kurtit është përmes krizave që do të ketë vazhdimisht në politikë, sepse veriu është burimi i qëndrimeve të tyre pseudo-patriotike dhe patetizimi patriotik për t’u mbajtur në pushtet. Serbisë dhe Vucicit nuk i konvenon themelimi i asociacionit të cilin ata e pretendojnë, atë të 2015-tës”, tha deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.
Për tejkalimin e situatës së krijuar pas vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, për hapjen e urës mbi lumin Ibër, Aleksandër Vucic ka përmendur se janë dhënë propozime të cilat, sipas tij, nuk janë pranuar nga kryeministri Kurti. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: