Izraeli thotë se ka shkatërruar shumicën e mbi 300 dronëve e raketave të lansuara nga Irani

Orët e para të mëngjesit të së dielës në Izrael kanë nisur me shpërthime e sirena për të paralajmëruar sulmet ajrore, pasi Irani lansoi qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundruese në një mision të paprecedentë të hakmarrjes që shtyn Lindjen e Mesme më afër një lufte të gjerë rajonale, raporton agjencia “AP”.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite ka thënë se Irani lansoi në total mbi 300 dronë e raketa, por 99 për qind prej tyre u shkatërruan me ndihmën edhe të aleatëve.

Admirali Daniel Hagari e ka quajtur këtë “një sukses shumë të madh strategjik”. Irani lansoi 170 dronë, mbi 30 raketa lundruese dhe mbi 120 raketa balistike. Nga këto, disa raketa balistike arritën në territorin izraelit, duke shkaktuar dëme të vogla në një bazë ajrore.

Ekipet e shpëtimit kanë thënë se një vajzë shtatëvjeçare në qytetin Bedouin Arab në jug të Izraelit ka marrë lëndime serioze, pas shpërthimit të një rakete, ndonëse policia ende është duke hetuar rrethanat se si u lëndua ajo.

Në Washington, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se forcat amerikane kanë ndihmuar Izraelin të rrëzojë “gati të gjithë” dronët dhe raketat iraniane dhe ka thënë se do t’i mbledhë aleatët për të bërë një reagim të unifikuar.

Pavarësisht që marrëdhëniet Iran-Izrael shënojnë raporte armiqësore me dekada, që nga Revolucioni Islamik në vitin 1979, ky sulm erdhi pasi dyshohet se në një sulm të dyshuar izraelit në Siri, dy javë më parë, u vranë dy gjeneralë iranianë brenda Konsullatës së Iranit.
Ushtria izraelite ka thënë se disa nga lansimet u bënë nga Iraku dhe Jemeni.
“Ne kemi shkatërruar, kemi bllokuar dhe do të fitojmë së bashku”, ka thënë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një postim në platformën “X”.

 

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA