Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca janë deklaruar të martën për takimin e sotëm në Bruksel. E para e vendit tha se pret që sonte Kosova të ketë draftin e saj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi siç tha ajo, draft-statuti i ekipit menaxhues mbetet i papranueshëm për ë.
Osmani para mediave tha se që drafti i një të ashtu-quajturi ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit nuk mund të bëhet bazë e negociatave.
“I ashtuquajturi ekip menaxhues do të prezantojë një draft. Pritjet e mija si presidente janë që Republika e Kosovës të ketë draftin e saj sepse ne nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashtu-quajturi ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vucicit të bëhet bazë e negociatave. Pra, ta kemi draftin tonë i cili në një është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, nën dy është përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, është po ashtu në përputhje me qendrimin e ShBA dhe siguron qe nuk preket as sovraniteti as integriteti territorial e as parimi i unitaritetit qe nënkupton një shtet komplet funksional… këto janë pritjet r mija që drafti i Kosovës te jetë ajo që do të shndërrohet në bazën kryesore të këtij procesi e jo drafti i një ekipi menaxhues që udhëheqet dhe kontrollohet nga Vuciqi”, tha Osmani.
Sipas Osmanit qeverisjet e kaluara duhet të përgjigjen se pse janë emëruar këta persona që aktualisht janë pjesë e ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se apriori e dinë që drafti i propozuar nga ekipi menaxhunes do të jetë totalisht i papranueshëm nga institucionet e Kosovës.
“Apriori ne e dimë që do të jetë draft totalisht i papranuar nga ana e institucioneve të Kosovës”, theksoi ajo.
Sa i takon marrëveshjes për të pagjeturit, presidentja Osmani shprehu besimin që do të nënshkruhet sot, por thekson se ka dyshime nëse serbia do ta zbatoj atë apo jo.
Ndërsa, theksoi po ashtu se kjo deklaratë do ta detyrojë shtetin serb t’i hap arkivat.
“Kjo është një hap i rëndësishëm në dialogun me Serbinë sepse do ta detyrojë Serbinë që të hap arkivat aty ku gjinden dëshmitë për mbi 1600 të zhdukur me dhunë të luftës në Kosovë. Natyrisht që kemi dyshime në atë që do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët e cila nëse nuk bllokohet nga ana serbe do të përfundojë sot që partnerët tanë ndërkombëtarë të sigurohen që çdo hap i cili premtohet edhe të zbatohet”, tha ajo.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u shpreh që nga takimi i sotëm në Bruksel nuk pret të arrihet ndonjë marrëveshje as për draftin e asociacionit por as për personat e zhdukur.
“Unë mendoj që është vështirë të arrihet një marrëveshje për arsye se Serbia e dëshiron Kosovën si pjesë të saj ne e kemi çliruar Kosovën me shumë sakrifica dhe çmim shumë të lartë dhe këto janë qëndrime të papajtueshme. Unë nuk pres që Serbia do të ndryshojë shpejt dhe që do ta kemi një Serbi demokratike e cila e pranon popullin e Kosovës si subjekt sovran edhe Kosovën si shtet të pavarur. Prandaj, ne duhet ta vazhdojmë drejtimin tonë e kjo është mbrojtja e interesave tona vitale kombëtare, shtetërore”, theksoi Konjufca.
Shefja e shtetit e pyetur se a do t’i vizitojë krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë tha se beson që drejtësia sërish do të triumfojë dhe do të dëshmojë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.
Ajo tha se si shtet janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të dëshmuar pastërtinë e luftës çlirimtare.
“Në besojmë qe drejtësia sërish do të triumfojë ashtu siç ka triumfuar edhe më parë në të gjitha instancat tjera të drejtësisë dhe besojmë që vendimi final do ta ridëshmojë për të satën herë më radhë që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë… Ne bëjmë gjithçka që është në duart tona që t’i mbështesim krerët e UÇK-së jemi në kontakt të vazhdueshëm përbrenda institucioneve edhe me avokatët në mënyrë që çdo veprim i yni të jetë hap i cili i ndihmon drejtësisë dhe jo hap i cili mundet pastaj të keqpërdoret apo të interpretohet si ndërhyrje që do t’i dëmtonte krerët e UÇK përgjatë këtij procesi. Jemi të gatshëm të bëjmë gjithcka si shtet që të gjithë së bashku ta dëshmojnë pastërtinë e UÇK-së”, tha ajo.
Presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca këto komente i bënë pas homazheve dhe pjesëmarrjes në akademinë përkujtimore në përkujtim të 24-vjetorit të masakrës së Studimet, ku nga forcat serbe u vranë 116 shqiptarë. /KP