Përgatiti: Haris Ademi
Mbi dy vjet e gjysmë iu desh Komisionit parlamentar për Ekonomi, ta hartojë Projektligjin për Kriptovaluta.
Nisma që pritet ta rregullojë përdorimin dhe qarkullimin e monedhës digjitale në Kosovë, i është dërguar qeverisë për mendim, javën e kaluar. Nga ekzekutivi thanë për ATV-në se do ta shqyrtojnë draftin në njërën nga mbledhjet e radhës.
Udhëheqësja e grupit punues për këtë projektligj, Mimoza Kusari-Lila, thotë se vonesat kanë ndodhur për shkak të agjendës së ngjeshur legjislative në Kuvend.
Ajo thotë se dokumenti tashmë i shkruar, tenton ta shtrijë kontrollin në këtë veprimtari të re, me fokus parandalimin e pastrimit të parasë.
“Parasheh licencimin dhe autorizimin e agjentëve që veprojnë në emër të klientëve, veprimin e aktivitetit ekonomik të kriptoaseteve, si dhe rregullat shumë strikte të përcaktimit të procesit të gërmimit apo miningut”, tha Kusari-Lila.
Kosova nuk ka infrastrukturë ligjore për kriptovalutat. Prandaj kryetari i Komisionit, Ferat Shala, nga Partia Demokratike, thotë se nuk ka qenë i thjeshtë hartimi i projektligjit.
Për këtë, janë angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë.
“Ka qenë edhe ligj specifik, që e rregullon një fushë për herë të parë, dhe ka pasur mëdyshje si të rregullohet kjo veprimtari”, tha Shala.
Optimist për këtë nismë nuk është eksperti i kriptovalutave, Granit Kadolli, që ka marrë pjesë në disa prej debateve publike për këtë çështje.
“Nuk i kanë cekë disa gjëra teknike, kush e merr përgjegjësinë, banka apo kartelat, nuk e kanë cekë tokenizimin”, tha Kadolli.
Nuk ka shifra të sakta sa persona mihin apo tregtojnë me kriptovaluta në Kosovë. Mirëpo, Kadolli thotë se kjo veprimtari ka trend të rritjes.
Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë disa herë thirrje që të paguhet tatimi në fitim deri në 10%. Por nuk ktheu përgjigje të martën sa ka mbledhur taksa nga ky sektor.
Monedha më e famshme digjitale është Bitcoin, që aktualisht i është rritur vlera në rreth 60 mijë euro.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: