Është miratuar kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e 520 mijë eurove për financimin shtesë të projektit “Renovimi i kulmit dhe rikonstruktimi i hapësirave të brendshme në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore”.
Nga Ministria bënë të ditur se ky buxhet do të shfrytëzohet për renovimin e hapësirave të IML-së që ishin dëmtuar si pasojë e incidentit me zjarrin në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo në të njëjtën kohë do të intervenohet në tërë objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Ky renovim do të realizohet në bazë të projektit të përgatitur nga departamenti i inxhinieringut në MD, i cili përfshin rekomandimet e dhëna nga Komisioni i Universitetit të Prishtinës për vlerësimin e dëmeve dhe rritjen e sigurisë së objektit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Në njoftim Ministria e Drejtësisë ka dhënë detaje se cilat do të jenë pikat kryesore që do të investohen.
“Pikat kryesore në të cilat do te investohet do të jenë instalimi i sistemit kundër zjarrit, instalimi i sistemit të ri elektrik, vendosja e ventilimit qendror, përmirësimi i kushteve dhe funksionalizimi i sallave të autopsisë, si dhe ridizajnimi i hapësirave të brendshme të punës në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, vijon njoftimi.
Ndryshe, për zjarrin që kishte shpërthyer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Prokuroria në Prishtinë ka nisur hetimet.