Përgatiti: Armand Hoti
Zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për bartjen e pronësisë të 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, qe parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në fund të muajit maj, këshilli i Ministrave i KiE-së, do të vendosë nëse Kosova do bëhet anëtari më i ri i organizatës me seli në Strasburg të Francës.
Deputeti opozitar, Arben Gashi, njëherësh anëtar i delegacionit kosovar në KiE, nuk pret të ketë pengesa të tjera për anëtarësim.
“Nuk ka asnjë indicie që mund të ketë probleme. Presim që në fund të këtij muaji raportuesja për Kosovë, të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të komitetit për politik dhe demokraci dhe të rekomandojë anëtarësimin e Kosovës si vend, i cili i plotëson kriteret për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, jam optimist se kjo do të ndodhë”, tha Gashi.
Edhe pse zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese e vlerëson si progres të ndjeshëm në rrugën drejt anëtarësimit, njohësi i integrimeve, Dritëro Arifi, nuk e përjashton mundësinë për vonesa.
“Po besoj që kjo mund të jetë një pikënisje e mirë edhe për Kosovën edhe për Këshillin e Evropës që Kosova të paktën të hyjë në ato kanalet për anëtarësim, sepse nuk besoj që anëtarësimi mund të bëhet shumë shpejt, çfarë mund të bëhet është avancimi i Kosovës në KiE. Kjo nuk është më në dorën e Kosovës, por fati ynë është në mundësinë e aleatëve që të na avancojnë më tutje”, tha Arifi.
Arifi theksoi se shteti është vonuar në marrjen e vendimeve, që do ta afronin anëtarësimin e shtetit në KiE.
“Narracioni që është ndërtuar në Kosovë, që ne do të humbim dhe do të zhdukemi, pra një narracion shumë negativ për këtë çështje dhe u pa dje që Kosova nuk u zhduk, por vetëm u përforcua më shumë. Në fund të ditës mendoj që ka fituar shumica e shumica janë shqiptarë”, tha Arifi.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në majin e vitit 2022.
I themeluar në vitin 1949, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.