Përgatiti: Krenare Mulliqi
Për takimin që e mbajti në Bruksel për rregulloren për operacione me para të gatshme, guvernatorit të Bankës Qendrore iu kërkua llogari nga deputetët opozitarë.
Gjatë raportimit të tij në Komisionin për Buxhet, Ahmet Ismaili tha se për këtë takim nuk kishte ftesë zyrtare nga emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, por kërkesa erdhi nga Qeveria. Për këtë takim, deputeti Avdullah Hoti e paralajmëroi për pasoja, derisa guvernatori këtë e konsideroi kërcënim.
Debati nuk përfundoi këtu, meqë Hoti tha se me këtë takim BQK-ja u bë pjesë e dialogut.
Guvernatori u kritikua edhe për mungesë të raportit për këtë takim.
Ismaili tha se rregullorja e re, e cila lejon vetëm përdorimin e valutës euro po tregon efekte pozitive dhe ajo nuk është miratuar për të shpërfaqur probleme.
Sipas tij, deri më tani janë licencuar pesë banka për transportin e parave të gatshme me leje të veçantë nga BQK-ja.