spot_imgspot_img
spot_img

Pas tetë vjetëve, Kurti vendos t’ia jap pronat manastirit të Deçanit

Përgatiti: Haris Ademi

Agjencia Kadastrale e Kosovës tashmë e ka lejen e qeverisë që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pronat në favor të Manastirit Ortodoks të Deçanit.

Këtë e tregoi kryeministri Albin Kurti, të mërkurën. Tha se është prirë nga arsyeja e shëndoshë, për ta përmbushur një nga kushtet në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Për të treguar që po vepron jashtë vullnetit, e përsëriti qëndrimin e tij personal për 24 hektarët e kontestuar për shumë vite.

“Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë, por në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në KiE, do të ishte fitore historike dhe hap gjigand për Kosovën drejt njohjes nga pesëshja evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE”, tha Kurti.

Më 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi pro Manastirit të Deçanit si pronare e tokës dhe pyllit, që pretendohej se ishin të kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.

Ky vendim i organit më të lartë kushtetues, sipas Kurtit, e lë institucionin që ky e drejton, pa mundësi për ta anuluar.

“Si kryeministër i Kosovës nuk më pëlqen ai vendim i çuditshëm, e i padrejtë e ndërkohë ka edhe procese gjyqësore tjera pezull për këtë çështje teksa ne si qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për të anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti.

Kurti shtoi se vartësja e saj, kryediplomatja Donika Gërvalla, tashmë i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës. Muajt në vijim do të jenë determinues për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion evropian, ku kishte aplikuar në maj të 2022-ës.

Kundër kryeministrit doli kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili tha se AKK-ja tashmë e ka zbatuar vendimin.

“Deçani përsëri goditet padrejtësisht, kësaj radhe nga një Urdhër Ekzekutiv i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti! Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, për 24 hektar të pronave, i cili vendim u zbatua sot, nga Agjencioni Kadastral i Kosovës me urdhëresë të Kryeministrit. Qe tri vite po pres që ky Kryeministër të më takojë një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha Urdhër Ekzekutiv sot!”, thuhet në reagimin e Ramosajt.

Kritika patën edhe deputetët opozitarë, që e akuzuan Kurtin për ndryshim të qëndrimit të kahershëm. Ndryshe nga këta, vendimin e përshëndeti edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, që qëlloi në Prishtinë në kohën kur u kumtua.

“Ishte një hap i vështirë, por i nevojshëm, ne i falënderojmë institucionet e Kosovës për gjithë bashkëpunimin në këtë çështje”, ka deklaruar Escobar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova zbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses.

Prandaj shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, tha se u bë realitet pritja e gjatë. Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, tha se zbatimi i vendimit është shumë i vonuar, por shënon hap të rëndësishëm në sundimin e ligjit.

Dioqeza Rashkë-Prizren dhe Manastiri i Deçanit nuk kanë reaguar për këto zhvillime, deri pasditen e së mërkurës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA