Përgatiti: Armand Hoti
Në Administratën Tatimore të Kosovës, u deklaruan si sponsorisim. Edhe pse u raportuan si të tilla, mbi 490 mijë euro, në të vërtetë nuk u transferuan kurrë te klubet sportive në Kosovë.
Këto të dhëna i bëri publike Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”, që mbulon periudhën kohore 2020-2024.
“Sponsorizimi dhe lirimi i 30% të tatimit në fitim për kompanitë private, ka rezultuar me shmangie tatimore. Nga 45 mostrat e testuara kemi gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar fare te klubet sportive si sponsorizim nga kompanitë private, edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim. Për më tepër këto kompani sponsorizuese janë liruar nga tatimi dhe si rrjedhojë nuk i kanë paguar tatim shtetit”, tha Vlora Spanca, auditore e përgjithshme.
ZKA-ja konstaton se gjatë kësaj periudhe, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka subvencionuar organizatat sportive me 3.5 milionë euro.
Megjithatë, ata që i pranuan paratë nuk i raportuan Ministrisë si u shpenzuan.
“Organizatat sportive gjatë viteve 2020-2022, nuk kanë raportuar për shpenzimet e subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë eurove, të financuara nga MKRS-ja. Përveç financimeve me memorandume dhe me thirrje, MKRS-ja financon organizatat sportive edhe pa thirrje publike, vetëm me kërkesa drejtuar Ministrisë, formë të cilën nuk e ka të paraparë në ligje dhe rregullore”, tha Spanca.
Kështu, ZKA-ja dha disa rekomandime për MKRS-në dhe ATK-në.
“Për adresimin e këtyre çështjeve të trajtuara në raport, nga ZKA-ja janë dhënë 10 rekomandime për dy institucione. 6 rekomandime për MKRS-në, 2 rekomandime për ATK-në dhe 2 të përbashkëta për të dy institucionet”, tha Spanca.
Ndërkaq, në raportin “Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media”, thuhet se shumica e mediave veprojnë pa i përmbushur obligimet financiare të tarifave vjetore gjatë viteve, dhe masat ligjore ndaj tyre nuk zbatohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave.
Në mars, Auditori i Përgjithshëm ka publikuar gjithsej pesë raporte.
ZKA-ja synon që gjatë vitit 2024, të realizojë 123 auditime që do të mbulojnë fusha të ndryshme.





