Përgatiti: Sara Shehu
Më shumë se 24 orë nuk u kanë mjaftuar zjarrfikësve të komunës së Drenasit dhe Skenderajt për ta shuar tërësisht zjarrin në fabrikën e plastikës në Parkun e Biznesit të Drenasit.
Derisa zjarri u lokalizua mbrëmjen e së hënës, puna për ta shuar tërësisht atë ka vazhduar gjatë gjithë ditës së martë.
Komandanti i zjarrfikësve në komunën e Drenasit, Afrim Gjeli, tha se prodhimet e plastikës të kësaj fabrike ua kanë vështirësuar edhe më shumë punën.
“Është masa plastike që na ka vështërsu lokalizimin e zjarrit. Jemi duke përdorur ujin si materie për shuarjen komplet të këtij zjarri, kemi përdorur edhe shkumë. Rreziku është i madh nëse hymë në objekt, për shkak se është dëmtuar në masë të madhe, ka llasra që janë të varura dhe mund të bijnë poshtë, mi dëmtu zjarrfiksat. Nuk ka rrezik në pjesën e jashtme, vetëm brenda. Operacioni s’e di sa mund të zgjasë, mund të zgjas ndoshta 3 orë, ndoshta edhe 5 orë, por ndoshta edhe 7 orë”, tha komandanti i Zjarrfikësve në Komunën e Drenasit, Afrim Gjeli.
Pronari i fabrikës, as të martën nuk ka pranuar të flasë për media, megjithatë atij mbështetje i ka shprehur agjencia KIESA që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Ne si e kemi marrë lajmin kanë ardhë kolegët në vendin e punës, është një nga fabrikat e para në Drenas që nga viti 2010 ka shumë punë në këtë fabrikë, gjithsesi është një rast mjaft i vështirë për neve, si institucione, ne jemi në mbështetje të bizneseve”, tha kryeshefi i Agjencisë Kiesa në kuadër të MINT-it, Zef Dedaj.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se rrethanat e zjarrit mbetën ende të paqarta.
“Ende nuk dihen shkaktarët e zjarrit, sepse organet e policisë po e kryejnë detyrën e vet. Zjarri shumë i madh, zjarr ka edhe sot. Vlerësimi do të bëhet nga ekspertët e çështjes, falënderoj zjarrfikësit për punën e tyre….”, tha Lladrovci.
Ta kontaktuar nga ATV-ja Policia dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë se janë ende në fazën e hetimeve fillestare, për të kuptuar nëse ka elemente të veprës penale.
Nga kompania “Plastika” që merret me përpunimin e plastikës, është thënë se dëmi nga zjarri në tri objektet e fabrikës vlerësohet të jetë rreth 10 milionë euro.