Investimet kapitale vlerë të përgjithshme afër 200 milionë euro, të parapara për këtë vit, në termocentralet Kosova A dhe B do të vonohen, përkatësisht shtyhen.
Projekti për reduktimin e ndotjes, përmes fondeve të BE-së në vlerë 38.5 milionë euro, si dhe ai për modernizimin e turbinave, përmes kontratës në vlerë 56 milionë euro – me General Electric, nuk do të nisin para vitit 2025.
Shtyrja e realizimit investimeve nuk ndërlidhet me masat ndëshkuese të BE-së.
“Kontrata për masat për reduktimin e pluhurit dhe oksideve të azotit, në Termocentralin Kosova B tashmë është duke u realizuar, prandaj ajo nuk ndikohet nga masat e BE-së. Masat e BE-së ndikojnë vetëm projektet e reja për të cilat procesi i prokurimit dhe kontraktimit është pezulluar”, thuhet nga Zyra e BE-së në Prishtinë.
Edhe pse, sipas Ministres së Ekonomisë, KEK-u dhe General Electric janë gati për investime në Kosovën B, shtyrja është e pashmangshme.
“Për shkak të vonesave në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale aktualisht, konsorciumi dhe disa çështje të brendshme të konsorciumit të kontraktuar nga BE-ja, na është komunikuar se konsorciumi nuk mund ta realizojë projektin gjatë vitit 2024, siç ka qenë e planifikuar. Kjo do të thotë që përveç atij projekti, duhet të shtyhet detyrimisht edhe ky i modernizimit dhe të tjerat, në mënyrë që mos të i ndalim blloqet dy herë’, deklaroi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Vonesa pritet të ketë në investimin për rehabilitimin e thellë të njësisë prodhuese A5, në vlerë 105 milionë euro, pasi ende nuk është shpallur tenderi.
Krahas vlerësimit se vonesat në investime cenojnë sigurinë e furnizimit, eksperti i energjisë Naim Bujupi tha se punët duhet të nisin më së largu në Maj.
“Procedurat e prokurimit sigurisht ishte dashtë të fillojnë qysh vitin e kaluar dhe tashmë të ishte dashtë të përfundojnë procedurat e prokurimit dhe kompania e përzgjedhur të fillojë menjëherë me remontet kapitale”, tha Bujupi.
Me investimet në modernizimin e turbinave parashihet që kapaciteti prodhues i TC Kosova B të rritet për 30 megavat orë.
Ndërsa, me investimet në vlerë 105 milionë euro, parashihet që kapaciteti prodhues i njësisë A5 të rritet për 50 megavatë orë, nga 130 në 180 megavat orë./atvlive.tv/