Përgatiti: Armand Hoti
Rërën dhe zhavorrin po e nxirrte nga prona e tij në Viti. Pikërisht aty po e bënte edhe përpunimin e resurseve.
Por, puna nuk i zgjati, meqë inspektorët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, evidentuan se në tokën e pronarit të kompanisë “Godeni Sh.p.k”, po eksploatohej e seperohej pa leje.
Referuar dosjeve që ATV-ja i ka siguruar, ndaj personit në fjalë janë shqiptuar dy gjoba me vlerë prej mbi 70 mijë eurosh.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka udhëzuar hetuesit e Stacionit Policor të Vitisë, të ushtrojnë kallëzim penal ndaj biznesmenit.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se për këtë çështje, prokurori i rastit pas analizimit të provave ka udhëzuar Stacionin Policor në Viti, që ndaj pronarit të kësaj kompanie të ushtrojë kallëzim penal, i cili është dorëzuar në Prokurori”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gilan.
Policia respektoi udhëzimin e prokurorisë, duke iniciuar rastin si “Ndotje, degradim ose shkatërrim i ambientit”, katër muaj pasi KPMM-ja kishte dorëzuar gjetjet në polici.
“Stacioni Policor Viti, me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan për çështjen e potencuar nga ana e juaj, ka iniciuar rastin “Ndotje, degradim ose shkatërrim i ambientit” duke ngritur kallëzim penal ndaj një personi mashkull kosovar, kallëzim penal i cili është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale në Gjilan.
Ndërkaq, inspektorët komunalë po sigurohen që aktiviteti minerar ilegal të mos vazhdojë.
“Inspektori Komunal, Afrim Sylejmani, me datë 13.11.2023 e ka vizituar vendin e ngjarjes dhe gjatë inspektimit “Godeni SH.P.K” nuk ka qenë duke operuar dhe kemi bërë procesverbal. Do të jemi në vëzhgim të operatorit”tuhhet në njoftimin nga Inspeksioni Komunal – Viti.
Ndërkaq, biznesmeni i gjobitur tha për ATV-në se zhavorri i përpunuar nuk do të përdorej për qëllime tregtie, por private, meqë ai synonte të ndërtonte një bodrum. Megjithatë, ATV-ja kupton se ai nuk posedon leje ndërtimi.