Vetëm 36 për qind e aktiviteteve të parapara gjatë vitit 2023 janë përfunduar nga Qeveria e Kosovës. Kështu u tha në konferencën për media nga Lëvizja FOL, ku u publikuan të dhënat nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, tashmë i quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim, raporton Ekonomia Online.
Në vitin 2022, niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 49 për qind, ndërsa në vitin 2021, realizimi i Planit të Punës së Qeverisë ishte 56 për qind.
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim.
“Qeveria e Kosovës nga 655 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-dhjetor 2023 ka arritur të realizoj vetëm 234 apo 36%, nuk i ka realizuar 151 apo 23 %, dhe nuk kanë kthyer përgjigje për 270 aktivitete apo 41 %”, tha Kastrati duke shtuar se numrin e madh të aktiviteteve pa përgjigje e kanë shtuar edhe tri ministritë që nuk janë përgjigjur fare e që kanë pasur një numër të madh të aktiviteteve të parapara.
Kastrati theksoi gjithashtu se Zyra e Kryeministrit, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk janë përgjigjur fare në pyetësorin e dërguar nga ne, dhe gjithashtu një numër i madh i ministrive kanë lënë pyetje pa përgjigje.
Gjitashtu, Kastrati shpjegoj se të gjitha aktivitetet e parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-dhjetor 2023 përmes pyetësorëve i’u janë dërguar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Pra, sipas saj, të dhënat e prezantuara sot, janë të dhëna të marra direkt nga personat përgjegjës për realizimin e këtyre aktiviteteve.
Ndërkaq Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen FOL, prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda vitit 2023.
Këto të dhëna ishin:
- Zyra e Kryeministrit
ZKM kishte paraparë 74 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, mirëpo nuk ka kthyer asnjë përgjigje për realizimin e tyre. Në lidhje me këtë, FOL ka dërguar ankesë në AIP dhe presim afatet ligjore që të kemi të dhëna për realizimin apo jo të këtyre aktiviteteve.
- Ministria për Komunitete dhe Kthim
MKK për periudhën janar – dhjetor 2023 ka paraparë realizimin e 4 aktiviteteve prej të cilave ka realizuar vetëm 2, ndërkaq 1 aktivitetet nuk është përfunduar dhe për realizimin e 1 aktiviteti nuk kanë kthyer përgjigje.
- Ministria e Shëndetësisë
MSH në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 32 aktivitetet brenda periudhës janar- dhjetor 2023, prej të cilave 14 i ka realizuar, 14 nuk i kanë realizuar dhe për 4 aktivitete nuk kanë kthyer përgjigje.
- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
MKRS në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të realizoj 41 aktivitetet brenda periudhës janar – dhjetor 2023. Përgjigje kemi marrë vetëm për 1 aktivitet të realizuar, 1 të pa realizuar dhe për 39 aktivitete të tjera nuk kemi pranuar përgjigje.
- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
MBPZHR në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 22 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2023. Prej tyre kanë realizuar 10 ndërkaq 9 janë të parealizuara dhe 3 janë pa përgjigjje. Vlen të theksohet se kjo ministri ka dërguar përgjigje edhe për 24 aktivitete tjera realizimi i të cilave shtrihet përtej vitit 2023, dhe 6 aktivitete të tjera të cilat nuk ishin pjesë e PKZH-së.
- Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve
MFPT në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 32 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 23 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 8 janë të pa realizuara dhe 1 është pa përgjigje.
- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
MMPHI në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor ka paraparë të përfundoj 61 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 7 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 6 janë të parealizuara, ndërkaq 48 janë pa përgjigje.
- Ministria e Drejtësisë
MD në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 77 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 43 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 31 janë të parealizuara dhe 3 janë pa përgjigje.
- Ministria e Zhvillimit Rajonal
MZHR nuk ka paraparë asnjë aktivitet, realizimi i të cilave fillon në janar dhe përfundon në dhjetor 2023.
- Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
MASHTI në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 32 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023, prej të cilave ka realizuar 16 dhe 16 të tjera janë të parealizuara.
- Ministria e Ekonomisë
ME në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 25 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 14 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 9 janë të parealizuara dhe 2 janë përgjigje.
- Ministria e Punëve të Brendshme
MPB në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim, ka paraparë të përfundoj 93 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Vetëm 46 janë përfunduar brenda afatit të paraparë ndërkaq 43 janë të parealizuara dhe 4 janë pa përgjigje.
- Ministria e Mbrojtjes
MM nga 9 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, nuk ka kthyer përgjigje. Andaj nuk dihet se sa prej tyre janë realizuar dhe sa jo.
- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
MINT nga 80 aktivitete të parapara të realizohen gjatë periudhës janar – dhjetor 2023 në kuadër të Planit Kombëtar Zhvillimor, nuk ka kthyer përgjigje. Andaj nuk dihet se sa prej tyre janë realizuar dhe sa jo.
- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
MPJD në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 15 aktivitete brenda periudhës janar – dhjetor 2023. Prej tyre 9 prej tyre janë të realizuara, 5 të pa realizuara dhe 1 pa përgjigje.
- Ministra e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
MPJD në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim ka paraparë të përfundoj 58 aktivitete brenda periudhës janar- dhjetor 2023. Prej tyre 49 prej tyre janë të realizuara, 8 të pa realizuara dhe 1 pa përgjigje.
Sipas Bunjakut, ajo çka duhet theksuar është se shumë nga ministritë kanë dërguar dhe informacione shtesë sa i përket realizimit të planit, mirëpo FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë vitit 2023 dhe jo ato që kanë filluar në vitin 2023 dhe janë paraparë të përfundojnë përgjatë tri viteve pra deri në vitin 2025.