Shkruan: Demir Reshiti
E kam bërë tashmë traditë shkuarjen në Kukës më 17 shkurt, në këtë qytet që aq shumë ka bërë për Kosovën dhe pavarësinë e saj sa kurrë nuk mund t’i dalim hakut! Këtë herë, në këtë udhëtim tradicional më shoqëroi nipi Fidan Zejnullahu. Polici në pikën kufitare nuk na i kërkoi dokumentet fare, vetëm na pyeti sa veta jemi në makinë dhe se ku do të shkojmë!
Ndaljen e parë e bëmë afër urës që lidh dy brigjet në vendin ku bashkohen dy Drinat. Fidani kishte informacion se ka filluar zhvendosja e konstruksionit gjigant metalik të Urë së re të Rrugës së Kombit, urë që ka nisur së ndërtuari në pranverën vitit 2020 dhe pritet të përfundojë në këtë. Ajo do të zëvendësojë urën ekzistuese mbi lumin Drin i Zi e zhvendosur rreth 100 metra në anën lindore të saj.
Ura e re është vepër arti arkitekturore, me dy bazamentet prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa gjatësia e saj është konstruksion metalik me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme, 310 metra e gjatë dhe 80 metra e lartë dhe do të jetë me katër korsi.
Zhvendosja e konstruksionit kishte filluar dy ditë më parë dhe bëhej përmes litarëve të çeliktë të vendosur në tri anë ndërkohë që në sipërfaqen e lumit ishte vendosur një bazament i madh lundrues që do ta lehtësojë vendosjen e konstruksionit në dy bazamentet prej betoni në brigjet e liqenit. Bazuar në lëvizjen tepër të ngadaltë të konstruksionit, do të nevojiten disa ditë kjo vepër arkitekturore të vendoset në vendin e paraparë…
Pjesë e agjendës si gjithnjë ishte vizita në varrezat e dëshmorëve dhe vendosja e luleve në varrin e Hasan Prishtinës, njërit nga ideologët kryesorë të çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve…
Makinën si gjithnjë e parkova në oborrin e Radio Kukësit aty ku e kam vendin e “rezervuar” nga se vazhdoj ta ndiej vetën si në shtëpinë time e të shtëpisë më konsiderojnë edhe kolegët që punojnë në radio disa nga të cilët i takova në hyrje. Ata sapo ishin kthyer nga Prizreni ku kishin përcjellë atmosferën e kremtimit të 17 shkurtit dhe po bëheshin gati ta montojnë materialin e xhiruar…
Në afërsi të radio Kukësit te objekti i ish-kinemasë është lokali i Ylli Cengut në të cilin kthehem për të pirë kafe sa herë që shkoj në Kukës. Nuk gjen askund tjetër në Kukës kafe më të mirë se sa te Ylli. Aty të shijon jo vetëm kafeja por edhe mikpritja që i ofron Ylli secilit mysafir. Një mikpritje të veçantë ai u bën miqve nga Kosova të cilët i ka me bollëk.
Meqë moti ishte i mirë, u ulem në tarracë. Ylli ndonëse ishte i ulur me disa mysafirë tjerë, kur na pa u zgjua dhe si gjithmonë erdhi na dëshiroi mirëseardhje.
Kohen e kafepirjes e shfrytëzova për t’i telefonuar disa nga miqtë që pa u takuar me ta nuk më bëjnë këmbët të kthehem nga Kukësi! Disa nga ta që i telefonova për fat të keq nuk kishin qenë në Kukës, ndërsa miqtë Petrit Palushi e Abdulla Domi më thanë të mos iki nga Kukësi pa i takuar!
Derisa të vinin ata dy, me Fidanin bëmë një xhiro nëpër sheshin kryesor të Kukësit, për t’u ndalur në Kullën e mikpritjes, një kullë muze për Kosovën, në brendësi të së cilës janë ekspozuar fotografi nga eksodi i përmasave biblike kur Kukësi priti rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës që u strehuan gjatë periudhës 27 mars – 13 qershor 1999. Ndonëse për fundjavë dera e kësaj Kulle është e mbyllur, këtë radhë ciceroni i Kullës e kishte hapur për t’ju dhënë mundësi që ta vizitojnë anëtarëve të Ansamblit “Drenica” nga Skenderaj të cilët kishin ardhur në Kukës për ta shfaqur një program artistik… Ndonëse ciceroni po bëhej gati ta mbyllte portën, kur i treguam kush jemi na lejoi që të hynim duke na u lutur që të mos vonohemi shumë. U ngjitëm deri në krye të shkallëve të Kullës, bëmë disa fotografi dhe dolëm duke e falënderuar për ‘tolerancën’ e treguar!
U kthyem te Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina” ku pjesëtarët e Ansamblit “Drenica” po përgatiteshin për shfaqje. Aty takova njërin nga anëtarët veteran të këtij Ansambli, këngëtarin Isa Veliu të cilin e kisha shok klase në gjimnazin e Skenderajt dhe me të cilin kam ruajtur shoqëri konstante që nga viti i largët 1980. Isa më tha si me shaka ja ku u takuam në qytetin tënd (ai i dinte lidhjet e mia shpirtërore me Kukësin) dhe ia shpjegoi drejtorit të Ansamblit kush isha dhe prej kur njihemi. E lamë të takohemi në sallën e koncerteve ndërkohë vazhdova rrugën për te lokali i Yll Cengut ku e kishim lënë të takohemi me Petritin dhe Abdullahun.
Petriti i shoqëruar nga dy djemtë e tij, tashmë kishte zënë vend në njërën nga stolat e vendosur në kopshtin e klubit të Yllit. Bashkë me ta ishte edhe Fatri Bajraktari nga Bicaj i cili më mbante mend që nga koha e angazhimit tim në radio Kukës. Ai atëbotë punonte si përkthyes për gazetarë të huaj që kishin ardhur me mision për t’i përcjellë ngjarjet që në vitin 1999 e bënë Kukësin kryeqytet të botës!
Ndonëse ka kaluar një periudhë me probleme shëndetësore, Petriti gradualisht po e merr veten dhe u gëzova që ftesës sime për tu takuar iu përgjigj me shumë dashamirësi.
Takimet me Petritin janë gjithmonë emocionuse ku kryefjala e bisedës është letërsia… Me Petritin jam njohur në vitin 1996 dhe që nga ajo kohë kemi ruajtur miqësi konstante. Petriti është krijues krejt i veçantë i cili pos si romansier, ka bërë emër edhe si studiues i letërsisë shqipe e herë pas here merret me publicistikë dhe eseistikë. Ka botuar 15 vepra letrare e studimore, disa nga të cilat janë ribotuar. Derisa shumë intelektualë e krijues kuksianë janë larguar për në Tiranë e shtete të huaja, Petriti i ka ngelë besnik Kukësit dhe pothuajse të gjitha veprimtaritë kulturore që janë organizuar në Kukës mbajnë vulën e tij. Duke qenë i vendosur në mes të Prishtinës e Tiranës, ka shërbyer si urë lidhëse mes krijuesve të dy kryeqyteteve shqiptare, i respektuar nga njerëzit e penës në mbarë gjeografinë letrare shqiptare.
Pas pak, na u bashkua edhe mikun im i fortçmuar Abdulla Domi, ish-kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës, personalitet me taban kombëtar që e do Kosovën poaq sa e dua unë Shqipërinë! Abdullahu tha se nuk do të qëndronte gjatë sepse ishte nisur për në Pallatin e kulturës për ta ndjekur programin kulturor-artistik që do të shfaqej nga Ansambli “Drenica” dhe nxënësit e shkollave “Lidhja e Prizrenit” dhe “Havzi Nela” nga Kukësi.
Pjesëmarrja në shfaqje ishte edhe pjesë e agjendës sime ndërsa Abdullahu kishte arsye shtesë për ta ndjekur programin sepse në mesin e artistëve të vegjël ishte edhe nipi i tij (djali i vëllait) Elviu i cili kishte njërin nga rolet kryesore në shfaqjen e titulluar “Familja Jashari, legjenda e kohës moderne” interpretuar në mënyrë të mrekullueshme nga nxënësit e dy shkollave të sipërpërmendura. Artistët e vegjël në sallën e mbushur plot, sollën në kujtesë ngjarjet e ditëve kur u sakrifikua familja Jashari falë së cilës Kosova u çlirua dhe u pavarësua.
Shfaqja kushtuar familjes emblematike Jashari zgjati rreth një orë dhe u përcoll me shumë emocione, lot e duartrokitje nga publiku, ndërsa më pas u paraqiten në skenë artistët e Ansamblit “Drenica” fillimisht me një Valle festive nga valltaret fëmijë, e më pas me këngë të interpretuara nga këngëtarët e mirënjohur Leona, Diona, Rinesa, Naimi, Hakia, Bajrami dhe Isa. Programi u përmbyll me vallen e “Hamez Jasharit” të interpretuar nga valltaret e rritur të Ansamblit…
Në sallë e takova edhe një mik timin te penës, poetin veteran Hakik Visha të cilin e ftova të ulej afër meje. Hakiki ndonëse i ka mbushur 88 vjet, gëzon shëndet të mirë dhe merr pjesë në secilin aktivitet kulturor që organizohet në Kukës. Edhe Hakiki si shumë miq të mi kuksianë, është i lidhur shpirtërisht me Kosovën dhe shfaqjen kushtuar familjes Jashari e përcolli me shumë emocione e duartrokitje.
Kur dolëm nga Pallati i kulturës kishte filluar të bie muzgu, që ishte një sinjal se duhet të ktheheshim ngadalë për në Opojë. Sigurisht më ngeli merak të takoja edhe shumë miq e kolegë tjerë që kam në Kukës por këtë radhë nuk më premtoi koha!