Kjo qendër ka filluar të ndërtohet në vitin 2021, dhe po në atë vit nën udhëheqjen e ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte paraparë të funksionalizohej.
Por, drejtori i ri i Shëndetësisë në këtë komunë, Izet Sadiku, thotë se këtë projekt e kanë gjetur me shumë probleme.
“Kjo është dashur të përfundojë para se me ardhë ne, por kur kemi ardhë ne në vitin e kaluar, qeverisja jonë, kemi parë që ka pasur shumë parregullsi në zbatimin e projektit nga qeverisja e kalume dhe mbas disa diskutimeve me operatorin e punimeve kemi gjetur zgjidhje”, tha Sadiku.
Ai premton se shumë shpejt do të jetë gati gjithçka në këtë qendër.
“Jemi në fazën përfundimtare të punimeve. Pritet që gjatë qershorit të hapet dhe të ofrojë shërbime për qytetarët”, tha Sadiku.
Stërzgjatja e punimeve i ka detyruar banorët e kësaj lagjeje që të marrin shërbime mjekësore nëpër QMF të tjera.
“Këtu ka filluar ndërtimi në qershor 2021, lagjja ka nevojë për QMF. Ne duhet të shkojmë në Ulpianë kur kemi nevojë për të marrë shërbime mjekësore”, tha Ahmet Duklini, banor.
“Kanë zgjatur goxha shumë këto punime, nuk është mirë, por çka kemi dëgju prej udhëheqësve komunalë, po pritet që brenda një afati të shkurt ka me u lëshu për përdorim”, tha Ahmet Hoti, banor.
Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen Veternik, është projekt i financuar nga Komuna e Prishtinës, i cili arrin vlerën rreth 470 mijë euro.
Ndryshe, kjo qendër pritet t’iu shërbejë afro 20 mijë banorëve të lagjes. /atvlive.tv