Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit” në 24-vjetorin e masakrës së Mejës, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, Krasniqi tha se pa u gjetur edhe i zhdukuri i fundit, nuk mund të ketë drejtësi. Ai tha se për disa familjarë, liria ende nuk ka ardhur.
“Si çdo 27 prill edhe këtë vit sa herë që vijmë këtu në ‘Lëndinën e Krenarisë’ në Mejë. Nuk ka sesi të kujtojmë këtë rrugëtim të rëndë e tragjik të popullit tonë që sakrifikoi aq shumë për lirinë që e gëzojmë sot dhe padyshim si në çdo ditë tjetër por në mënyrë të veçantë në këtë ditë kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen e pambaruar të familjarëve në radhë të parë por edhe të kombit tonë në përgjithësi”, tha Krasniqi.
“S’ka si të mos mendojmë se nuk është bërë mjaftueshëm. Për disa prej familjarëve, liria ende nuk ka ardhur. Pa u gjetur dhe pa u zbuluar fati i të pagjeturit të fundit nuk mund të ketë drejtësi”, tha tutje Krasniqi.