Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu ka reaguar lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit në vend.
Sipas tij, rregullorja e BQK-së lidhur me dinarin është dhurata më e mirë për Serbinë dhe armiqtë e Kosovës.
Gërxhaliu tha se të jesh nën sanksione apo nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian dhe të eksperimentosh me një rregullore çfarë ka qenë ajo e dinarit, është dëmi më i madh që ka mundur ti bëhet Kosovës qoftë në aspektin ekonomik, politik, integrues apo edhe ate të imazhit.
“E them këtë bazuar në faktin se në Kosovë kemi ligje dhe rregullore që rregullojnë sistemin bankar. Janë ligjet e vitit 1999, janë ato të vitit 2002, është Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nene të caktuara për funksionimin e Bankës Qendrore të Kosovës”, ka shkruar Gerxhaliu.
Tutje, ai përmendi faktin që në fund të Janarit ka skaduar edhe licenca e Bankës Komerciale të Serbisë beson që ka qenë një momentum që në heshtje të arrihet qëllimi që në Kosovë të ketë vetëm një valutë pagese siç është edhe ligjërisht e përcaktuar dhe ajo të jetë euro.
“Ajo çfarë është më shqetësuese është fakti qe ndodhi një hap i tillë në kohën kur Kosova ka qenë nën sanksione apo nën masat e Bashkimit Evropian, sanksione të cilat e kanë dëmtuar vërtetë Kosovën në shumë pore e në veçanti në aspektin ekonomik dhe të kthehet prapë çdo gjë nga zeroja dhe fajtor të mbetet Kosova është diçka që i shkon përshtati vetëm Serbisë dhe armiqve të Kosovës kudo që janë në botë,” shtoi Gerxhaliu.
Sipas tij dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë do të fitoj një temë të re në agjendë që të lidhet me dinarin.
“Lufta për protagonizëm, mungesa e dialogut intern, dhe vendosja e njerëzve të paditur në pozita kyqe për mes të kapjes po jep frytet e veta negative në dëm të Kosovës dhe në interes të armiqëvetë Republikës sonë.Do të rritet presioni ndaj Kosovës dhe ne nuk kemi fuqi diplomatike për imponim të zgjedhjes dhe çdo zgjedhje e imponuar nga jashtë mund të jetë cenim i sovranitetit të Republikës së Kosovës. Me këtë lind pyetja kush është duke e këshilluar Bankën Qendrore të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës të veproj në këtë mënyrë që këto vendime të dëmtojnë shtetin tonë deri në këtë masë!? Vendime të tilla po e ngulfatin ardhmërinë dhe perspektiven evropiane”, shkroi tutje Gërxhaliu.
Gërxhaliu tha se po ndodhë e tëra kjo në kohën kur pritej forcimi i partneritetit me NATO, pritej anëtarësimi në Keshillin Evropian, në kohen kur në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit planifikohen miliarda euro ndihma dhe mbështetje për Ballkanin Perëndimor, në kohën kur filloj rritja e presionit mbi Serbin për qasje destruktive në dialog me Kosovën dhe kundër rreshtimit pro-rusë të Serbisë.
“Republika e Kosovës ështe krijuar edhe në partneritetit me miqët ndërkombëtar e në veçanti me ndihmen e shteteve mike evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, përfundoi Gërxhaliu.