Dyshimet për korrupsion, një muaj paraburgim për dy zyrtarët e gjykatës në Prishtinë

Përgatiti: Nora Luta

Njëri bashkëpunëtor profesional, e tjetri referent në Zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, po hetohen rreth dyshimeve se në nëntë raste nuk i ekzekutuan vendimet për burgim.

Deli Halili e Ismajil Ismajli, sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, dyshohen se i mbajtën fshehtë urdhëresat e gjykatës për ekzekutimin e sanksioneve penale në një periudhë kohore prej afër dhjetë muajsh.

Ismajli ishte akuzuar edhe më herët për veprën penale marrje ryshfeti.

“Ekziston dyshimi i bazuar se nga data 4 prill 2022 e deri më 26 janar 2024, në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Deli Halili, në pozitën e bashkëpunëtorit profesional në këtë zyrë dhe Ismajl Ismajli në pozitën e referentit, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar, me qëllim të përfitimi të dobisë për të dënuarit, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm sistemit gjyqësor”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori e ka arsyetuar ndër të tjera për pranimin e veprimeve inkriminuese nga njëri i dyshuar.

“Provave që të njëjtit iu janë bashkangjitur, e posaçërisht, deklarata e të pandehurit Deli Halili, i cili pranon veprimet inkriminuese duke paraqitur edhe veprimet inkriminuese të pandehurit Ismajl Ismajli, janë siguruar prova materiale te dosjet e personave të dënuar, të cilat nuk janë ekzekutuar me kohë dhe janë mbajtur kundërligjshëm për një kohë të gjatë në zyrë” , thuhet më tej në kërkesën e Prokurorisë.

Dy zyrtarët e Gjykatës u arrestuan dy ditë më parë, ndërsa të mërkurën pasdite Gjykata Themelore në Prishtinë e aprovoi kërkesën e Prokurorisë, duke ua caktuar një muaj paraburgim secilit veç e veç.

Ndërkohë, avokati i Halilit, Berat Tmava, ka thënë për ATV-në se tashmë kanë shfrytëzuar të drejtën e ankesës në Apel, pasi, sipas tij, nuk janë plotësuar kushtet ligjore rreth masës së sigurisë, siç është ajo e paraburgimit, më e rënda që mund t’i caktohet një të dyshuari.

“Tani për tani nuk kemi asnjë provë që mbështet këtë dyshim të bazuar, sipas prokurorisë. Karakteristikat personale të të pandehurit, sjellja e mëparshme në ambientin dhe kushtet të cilat ai jeton dhe të gjitha këto tregojnë se nuk ekziston rreziku që i pandehuri të përsëritë veprën penale”, tha Tmava.

Në Apel është ankuar edhe avokati i Ismajlit, Driton Muharremi, i cili ka thënë për ATV-në se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë, se ai ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

“E vetmja provë është deklarata e Halilit, i cili e involvon klientin tim e që sipas kodit të procedurës penale, e njëjta nuk është provë në të cilën mund të bazohet aktgjykimi eventual. Klienti im nuk është i ngarkuar me ekzekutime të dënimeve me burg dhe nuk ka qasje as vizuale e as fizike ne këto lëndë”, ka thënë Muharremi.

Muharremi në ankesë ka theksuar se i njëjti më herët është liruar nga akuza për marrje ryshfeti, dhe se në procedurën kontestimore në shkallën e parë është obliguar Këshilli Gjyqësor të paguajë shumën prej 40 mijë eurosh.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA