Përgatiti: Arian Hajdaraj
Fillimisht, policët ndaluan hyrjen e veturave në këtë pikë të karburanteve, që ndodhet në magjistrales Fushë Kosovë – Prishtinë, e që për shumë vite funksionon me qira në pronën e Ministrisë së Bujqësisë.
Pastaj, inspektorët e komunës së Prishtinës takuan pronarin për t’ia kumtuar vendimin e Ministrisë për lirim të pronës, pasi kontrata i kishte skaduar që para një muaji.
Por, argumentet e pronarit nuk ndryshuan gjë.
Inspektorët, kësaj pike ia vendosën shiritat pasi i kishte skaduar kontrata për ta shfrytëzuar pronën e Ministrisë së Bujqësisë.
Ndalimi i punës, sipas avokatit të kompanisë, tejkalon kompetencat e Ministrisë.
“Nuk mundet ministria të lirojë prona, sepse kjo kompetencë i takon gjykatës…”, tha Naim Spahiu, avokat i kompanisë.
Vendimin për mosvazhdim të kontratës, pronari e quan të padrejtë.
“Është vendim i ministrit, ne do ngrisim padi ndaj tij…”, tha Habib Morina, pronar i pikës së derivateve.
Përveç pompës, shiritat pastaj iu vendosën edhe kompanisë tjetër fare pranë, që prodhon material ndërtimor.
Në vendimin e Ministrisë, thuhet se kompania është njoftuar me kohë, madje disa herë.
“Pra, N.T.SH “LIRIA FC” NGA DATA 01.01.2024 është dashur ta lirojë pronën në fjalë nga njerëzit dhe sendet për shkak se i ka skaduar kontrata. Për lirimin e kësaj prone brenda afatit N.T.SH “LIRIA FC” është njoftuar disa 4 herë, madje përmes shkresës së datës 13.07.2023, 10.10.2023, 13.12.2023 dhe shkresës së datës 09.01.2024, mirëpo i njëjti nuk ka vepruar konform detyrimeve të tij kontaktuale dhe ligjore dhe nuk i ka marrë parasysh njoftimet-paralajmërimet e dhëna përmes këtyre shkresave:, thuhet në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Për pronën rrëzë magjistrales Fushë Kosovë – Prishtinë, e krejt përballë Agjencisë së Inteligjencës, kompania paguante 500 euro qira mujore.