Përgatiti: Fatlum Jashari
Një ngritje eventuale e tarifave të energjisë elektrike për të tretin vit me radhë, nga qytetarë dhe njohës të fushës, do të ishte e pakuptimtë dhe e dëmshme.
Në aplikimin e saj në ZRRE, për t’i lejuar më shumë të hyra, KESCO-ja si shkaktare të rritjes eventuale të kostove përmend propozimin e KEK-ut për ngritje të çmimit të furnizimit me shumicë nga 29.5 në 31.5 Euro.
“Është absurde kërkesa për rritje të tarifave të energjisë elektrike, sidomos tash kur i pamë faturat e dhjetorit dhe të janarit që i befasuan qytetarët… ZRRE-ja do të duhej me automatizëm ta refuzojë për shkak se është kërkesë absurde dhe e pabazuar. Nuk është bazë e mjaftueshme që KEK-u po e rritë koston e prodhimit të energjisë elektrike, sepse nuk reflekton shumë”, tha njohësi i ekonomisë, Zekirja Shabani.
Po ashtu, krahas ndikimit të importit, duke iu referuar një hulumtimi të një instituti privat vendor, te rritja e kostos KESCO-ja futi edhe propozimin për rritjen e pagave të punëtorëve të saj për 15%, me arsyetimin se ata mund të ikin jashtë vendit.
“Është absurde për shkak se qytetarët nuk duhet ta paguajnë pagën e një punëtori të KESCO-s, duke e pasur parasysh që KESCO dhe KEDS-i, bashkë, janë dy kompanitë me qarkullimin më të madh në Kosovë, në top 10 kompanitë, KESCO dhe KEDS bashkë qarkullojnë mbi 380 milionë euro në vit”, tha Shabani.
Një ngritje e re do të ishte tronditëse për shumë qytetarë, të cilët ankohen për papërballueshmërinë e tarifave aktuale.
“Janari, 476 Euro. Në Emshir jetoj, me rrymë ngrohna. Përpara deri në 200 kurrë s’u shku, 160, të njëjtat sene janë krejt. Çka pusi u bo nuk e di?! Veç për dy muaj po i jap në 900 Euro rrymë! Me i thanë atij dostit atje që do me na rjepë, merre një brisk e rjepna krejt”, thotë Avdi Pollomi, qytetar.
“Një njeri jam. Në banesë të huaj jam. Unë e paguaj ujin, rrymën, bërllokun, qira nuk paguaj në atë banesë. A rryma shtrenjtë po vjen, 54 euro e gjysmë më ka ardhë dhjetori, a vitin e kaluar e kam pasë 7 euro dhjetorin. Tash janari ka ardhë 45 Euro. Me 100 euro jetoj”, tha Nazlije Shabani, qytetare.
Pas ngritjes së tarifave të energjisë elektrike dy herë radhazi, në hapje të procesit të rregullt të shqyrtimit KESCO-ja i ka propozuar ZRRE-së një ngritje tjetër.
Në këtë kompani nuk janë përgjigjur ende lidhur me këtë temë.