Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i ZPS-së pretendon se është rrëmbyer dhe rrahur nga UÇK-ja

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 42-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), cili mban kodin W02082 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesja e ZPS-së, Jasmine Shahabbudin, pretendohet se dëshmitari është rrëmbyer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe është rrahur mizorisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në qershor të 1999, dëshmitari 02082 u rrëmbye nga anëtarë të UÇK-së që dukej se e njihnin identitetin e personit. Atë e dërguan anëtaret e UÇK-së në një vendodhje që përdorej nga UÇK-ja në Prizren ku pa edhe anëtarë të tjerë të UÇK-së jashtë. Gjatë ndalimit ë atë vend, e morën në pyetje, e kërcënuan dhe e rrahën mizorisht anëtarë të ndryshëm të UÇK-së me orë të tëra”, tha prokurorja.

Ajo tha se pjesëtarët e UÇK-së përpara se ta lironin dëshmitarin i kanë thënë që të mos i tregonte askujt për faktin se e kanë mbajtur të ndaluar.

“Dëshmitari me numrin 02082 pa edhe të ndaluar të tjerë që kishin gjak dhe ishin rrahur. Përpara se ta lironin, ushtarët e UÇK-së i thanë dëshmitarit 02082 të mos i tregonte askujt për faktin që e kishin mbajtur të ndalum. Edhe sot e kësaj dite ka probleme shëndetësore për shkak të lëndimeve që i shkaktuan”, tha prokurorja.

Pas kësaj, prokurorja kërkoi që të kalohet në sesion privat në mënyrë që të ruhet identiteti i dëshmitarit gjatë marrjes në pyetje pasi ai është me masa mbrojtëse.

Në fillim të seancës prokurorja tha se asaj nuk i ka shkuar ektekspertiza e psikologut për këtë dëshmitarë si dhe ka njoftuar se transkriptet dhe dokumentet që do i prezantohen duhet të iu lexohen nga dikush për shkak që sipas saj ai ka probleme me shikimin.

Deklaratat e këtij dëshmitari të dhëna më herët për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse u pranuan dhe morën numrat e provave materiale në këtë cështje gjyqësore.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth 5 orë.

Sipas tij, ZPS-ja ka paraparë 1 orë, mbrojtja e viktimave 15 minuta ndërsa ekipet e mbrojtjes së të akuzuarve kanë paraparë rreth 4 orë për marrjen në pyetje të këtij dëshmitari.

Ashtu siç u tha në seancë, për shkak të problemeve shëndetësore, gjyqtari Christoph Barthe dhe dy të akuzuarit Thaçi dhe Krasniqi janë duke e ndjekur seancën përmes videolidhjes

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA