100 pikë do të duhet të arrijë një gjyqtar brenda një muaji për të plotësuar normën e punës mujore.
Kështu e përcakton rregullorja e re e Këshillit Gjyqësor, sipas së cilës norma do të llogaritet duke u bazuar në sistemin e vlerësimit me pikë për secilën lëndë, përfshirë natyrën e lëndëve.
Vlerësimi me poentim ka nisur nga muaji prill, e për gjyqtarët që nuk e plotësojnë normën do të ndërmerren masa.
Kjo sipas monitoruesve e juristëve do të mundë të ndikojë në efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve, sidomos në ato për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykatat Themelore kanë në punë gjatë këtij viti mbi dyqind mijë lëndë aktive.
“Megjithatë, vlerësojmë se ndoshta duhet të poentohej më shumë vendosja sipas propozimeve për përsëritjen e procedurës, nga shkalla e dytë dhomës së posaçme dhe supreme, për shkak të vendosjes sipas mjeteve juridike të jashtëzakonshme”, tha Florim Shefqeti, avokat.
Zbatimin e normës së punës së gjyqtarëve do ta monitorojnë kryetarët e gjykatave, të cilët janë të obliguar sipas rregullores të raportojnë në KGJK çdo tre muaj. /atvlive.tv