Nxënësit e klasave të 11-ta e 12-ta do të kenë mundësi që nga viti i ri shkollor 2024-2025 të mësojnë më shumë për sigurinë.
Ministria e Arsimit ka vendosur që nga shtatori në kurrikulën shkollore ta fusë edhe lëndën Edukimi për Siguri, si kërkesë nga Ministria e Mbrojtjes.
Megjithatë, kjo do të mbetet në dëshirën e nxënësve, meqë lënda do të jetë vetëm zgjedhore e jo obligative.
Sidoqoftë, Ministria e Arsimit nuk saktësoi nëse kjo lëndë do të jetë zgjedhore në të gjitha shkollat e mesme.
Njohës të arsimit thonë se duhet të ketë përgatitje institucionale e profesionale që kjo lëndë të sjellë dobi te nxënësit.
“Besoj që ka një argumentim për këtë dhe ai argumentim duhet të bëhet publik. Të ndahen plan-programet, të ndahen shkollat e targetuara së pari për pilotim dhe të tjerat për gjithëpërfshirje, në mënyrë që kjo reformë të ketë një përfshirje shumë më aktive dhe të mos vijë vetëm si një reformë politike që ka një jetëgjatësi të shkurtër”, tha Rinor Qehaja nga Instituti ‘ EdGuard’.
Futja e lëndës së sigurisë në shkolla është nismë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe është bërë me qëllim që nxënësit të marrin njohuri bazike ushtarake dhe të sigurisë./atvlive.tv/