​Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në BE të ndahet nga procesi i normalizimit me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai nga Shkupi, ku u mbajt samiti, “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor”, tha se aktualisht dialogu po zhvillohet vetëm në relacionin mes kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, për përcaktimin e hapave të mëtutjeshëm.

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë… (Dialogu) Tash për tash kjo zhvillohet në relacionit midis kryenegociatorit dhe lehtësuesit evropian, përfaqësueset special zotëri Lajcak. Tash për tash ky është rrafshi në të cilin do të mund të përcaktohen hapat e mëtutjeshëm, ndërsa në nivelin e takimit të liderëve nuk ka diçka të re, për çfarë ftesa na vjen nga Borrell”, tha ai.

Kurti në konferencën për media pas samitit rajonal, nënvizoi sërish se që Ballkani Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të afrohen nevojitet që që paqja me sundim të ligjit të mbizotërojë, ndërsa kërcënimet e sigurisë të pushojnë.

“Që rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe që qytetarët të afrohen, nevojitet që paqja me sundim ligji të mbizotërojë dhe kërcënimet e sigurisë të pushojnë. Integrimi më i thellë dhe rritja e fluksit dhe mallrave kërkon besim dhe njohje reciproke mes shteteve, institucioneve dhe njerëzve. Anëtarësimi në BE është një zgjedhje, ka shtete dhe popuj që mund të përcaktohen për mos anëtarësim në BE. Por anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim i shtetit tonë, institucioneve dhe popullsisë së vendit tonë, në një mbështetje që sillet diku 94 për qind”, theksoi Kurti.

Ai shtoi se masat e sigurisë të Kosovës ndaj Serbisë janë të domosdoshme, përderisa grupi paramilitar terrorist që kreu agresion ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë është i lirë.

“Masat e sigurisë të Kosovës janë të domosdoshëm, ne nuk kemi masa tregtare ndaj Serbisë. Kemi vetëm masa të sigurisë, por duhet të theksoj se për shkak të kontrollove të shtuara në vendkalimeve kufitare ka mundësi që ndërmarrje të caktuara nuk janë aq të interesuara të kalojnë kufirin dhe të vijnë në Kosovë si dikur. Masat e sigurisë ne nuk mund t’i heqim përderisa e kemi atë grup paramilitar terrorist që vepron i lirë. Në të njëjtën kohë na vijnë informacione sesi po takohen dhe po riorganizohen pa ndryshuar qëllimet dhe sjelljet e tyre”, deklaroi kryeministri.

I pyetur për Ballkanin e Hapur, Kurti tha se ai nuk është mjaftueshëm evropian dhe s’ka as strategji zhvillimi dhe as plan veprimi.

“Ballkani i Hapur nuk është mjaftueshëm evropian. Ndërkaq Ballkani evropian është mjaftueshëm i hapur. Ajo iniciativa për Ballkanin e Hapur nuk ka kontratë themelore, nuk ka kornizë institucionale, s’ka mekanizëm për të zgjidhur mospajtimet, s’ka strategji zhvillimi dhe as plan veprimi. S’ka transparencë procesi dhe as informacion të publikuar, po ashtu si ka as rregullat e Bashkimit Evropian dhe financimin e BE-së”, tha Kurti.

Krahas kësaj, Kurti tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut.

“LVV nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë dhe zyrtarë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, por këtu nuk jemi formalisht të regjistruar. Andaj ne si LVV nuk është se marrim pjesë këtu”, tha ai.

Ndërkaq, tha se nuk është i njoftuar se pse është anuluar konferenca e përbashkët e planifikuar e të gjithë liderëve rajonal./kp/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA