Gani Kosumi, në shumicën e rasteve që i drejtohet Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë, për të marrë një shërbim mjekësor detyrohet të blejë terapinë ampulare dhe barnat esenciale, të cilat i nevojiten për shëndetin e tij.
Kështu po vepron tash e disa muaj.
“Mendoj se shteti i Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë duhet me ndërmarrë më shumë hapa për njerëzit që kanë nevojë të ju sigurojnë barna elementare”, tha Kusumi.
Të njëjtin hall e ka edhe Robert Bujaku nga Podujeva.
“M’ka ra më herët kogja shpesh për t’i blerë se tash problem e kemi se pacientat me mjek mes vete kemi njefarë lloj armiqësie”, tha Bujaku.
Komuna e Prishtinës thotë se kjo mungesë ka ardhur si pasojë e mosfurnizimit nga ana e MSH-së me barnat e Listës Esenciale.
“Realisht, sipas ligjit, MSh-ja obligohet që 100% të na furnizojë me listën e esenciale të barnave. Por kjo nuk po ndodh, në vitin e kaluar vetëm 32% në Prishtinë kemi pasë furnizim nga Ministria e Shëndetësisë..”, tha drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku.
Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka një sqarim.
“Situata është pak më mikse, një nga arsyet është se ka pasur kërkesa të cilat nuk kanë korresponduar me kërkesat që i duhen në kujdesin parësor shëndetësor. Tani jemi në procedura të prokurimit për shumicën nga lista për kujdesin parësor shëndetësor, dhe mendoj se brenda 2-3 muaj, furnizimi me barna dhe material shpenzues në kujdesin parësor do të kalojë mbi 90%”, tha Vitia.
Ndryshe, javë më parë, ATV-ja ka raportuar se me mungesë të barnave dhe terapisë ampulare po përballen QKMF-ja e Gjakovës, ajo e Kamenicës dhe disa qendra të tjera të mjekësisë familjare në vend. /atvlive.tv