Vendi ku me financim nga Qeveria e Serbisë kishte nisur të ndërtohet Stadium në Mitrovicë të Veriut, tashmë është kthyer në deponi ilegale mbeturinash.
Por mbetjet inerte e shumëçka tjetër çka është gjuajtur aty, fare pranë rrjedhës së Ibrit, po u bëjnë goxha problem banorëve që jetojnë matanë lumit.
Banorët e fshatit Lisicë të Mitrovicës së Veriut, ankohen se mbeturinat po hidhen qëllimshëm në lum.
Kështu sipas tyre shtrati i lumit Ibër është ngushtuar, saqë sa herë që ka vërshime, uji u futet nëpër shtëpi.
“Janë t’u gju pa ndalë dhe krejt qita çimento t’u e gju në shtrat të Ibrit, e kanë shty Ibrin na e kanë pru nëpër shpija, që 100 vjet çka kemi bo pasuri është t’u na e çu poshtë”, thotë Mehmet Latifi, banor.
Për këtë problem, thotë se nuk ka lënë institucion pa u ankuar në jug e veri, e deri edhe tek institucionet qendrore. Por me ta s’ishte marrë kush.
“Ose le të ndërmerr qeveria diçka ose ka me pas pasoja si në fshat si në veri, nuk lejojmë më se s’kemi ku shkojmë, e din kryeministri, e din policia e dinë krejt”, thotë Latifi
Vërshimet e fundit, përveç dëmeve të mëdha nëpër shtëpi, Latifit ia mbytën edhe mbi 20 koshere bletë. /atvlive.tv