Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) njoftoi të martën se ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet D.M., i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civilë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
I dyshuari, i cili i përket nacionalitetit serb sipas Prokurorisë, akuzohet se ka kryer krime si roje e burgut në Prishtinë dhe Lipjan gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
“Në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve…në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftimin e PSK-së.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri D.M. në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’, duke u akuzuar edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).