Përgatiti: Sara Shehu
Pas reshjeve të shiut ditëve të fundit, nënkalimi në hyrje të lagjes Veternik është bërë gati i pakalueshëm.
Përveç ujit, aty janë grumbulluar edhe mbeturina, gjë e cila vështirëson lëvizjen e qytetarëve.
“A m’patë si e kalova. Njerëzit që vinë me gjendje të keqe shëndetësore, ose fëmijët. Është e tmerrshme ky nënkalim sa oshtë ndërtu, oshtë e tmerrshme”, thotë një qytetar.
“Oshtë e vështirë se p.sh., unë vi e shkoj në shkollë përmes këtij nënkalimi e shpesh kur është me ujëra mujna me rrëshit e me u rrëzu… plot herë po duhet me ecë nëpër rrugë, nëpër rrugë kryesore me kalu”, tha një nxënës.
Megjithatë, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, tha se do të intervenohet për pastrimin e nënkalimit.
“Ne si Drejtori e Shërbimeve Publike do të kujdesemi për pastrimin e nënkalimit gjithmonë, ndërkohë për të investuar në pjesën e Infrastrukturës duhet të intervenojë Drejtoria e Investimeve Kapitale”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu.
Me telashe të njëjta qytetarët po përballen edhe nëpër nënkalime të tjera, në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.