14.7 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Zgjedhjet në Serbi: Fitorja e partisë së Vuçiqit, në dëm të Kosovës dhe të rajonit

Përgatiti: Fatlum Jashari

Brengosëse për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor vlerësohet fitorja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi e koalicionit të udhëhequr nga partia e Aleksandar Vuçiqit.

Në këtë kontekst shihen pretendimet e hapura ndaj Kosovës, të shprehura nga presidenti i Serbisë, teksa shpalli fitoren e partisë së tij.

Në rrethanat e reja, sipas profesorit Milazim Krasniqi, Vuçiqi do të vijojë me politikën agresive, duke ia bërë të vështirë Kosovës procesin e dialogut.

“Fitorja e tij, pa dyshim, është dëshmi e kontinuitetit të politikës së tij nacionaliste dhe destabilizuese në drejtim të Kosovës. E dyta, me siguri që do të mbetet partner kredibil i BE-së dhe i Uashingtonit, për shkak të fuqisë reale që ka dhe rolit destabilizues që mund të ushtrojë drejt Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës. Dhe e treta, në dialog, ai do të jetë shumë i fuqishëm, ashtu që Qeveria jonë do të ketë përballë atë Vuçiqin e vjetër, por me një mandat të ri”, tha Krasniqi.

Krahas konstatimit se Vuçiqi e përdori sulmin terrorist në Banjskë për efekt të brendshëm tek elementet nacionaliste dhe frikësim të perëndimit, profesori Krasniqi pret shtim presioni me synim autonominë.

“Ai do t’i ruajë vijat e kuqe të Serbisë në raport me Kosovën, që nënkupton taktizime të shumta. Përdorimin e serbëve të Kosovës për lojërat e tij destabilizuese dhe për maksimalizimin e politikës në raport me Kosovën, për të marrë favore në proceset e integrimit të BE-së, për të ruajtur kursin pro-rus e kështu me radhë”, tha Krasniqi.

Fitorja e Vuçiqit, sipas politologut Fidan Ukaj, nënkupton vazhdimin e politikës destruktive të Serbisë, e cila cenon të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit.

“Është lajm i keq jo vetëm për procesion dialogues Kosovë-Serbi, por po ashtu edhe për rrugën evropiane të të gjithë rajonit dhe sigurinë nacionale e rajonale, për arsye se Vuçiqi e ka dëshmuar një gjë të tillë, duke rrezikuar sigurinë nacionale qoftë në Bosnjë e Malin e Zi, e po ashtu agresionin e fundit më 24 shtator në veri të Kosovës”, tha Ukaj.

Rusia, përmes zëdhënësit të presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, mirëpriti fitoren e partisë së Aleksandar Vuçiqit, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA