Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Si pasojë e zjarrit, interieri i Shtëpisë së Kulturës në Sllatinë, pothuajse është shkatërruar i gjithi.
Ani pse në këtë objekt nuk mbaheshin shpesh organizime, për banorët e kësaj komune, Shtëpia e Kulturës ka rëndësi të madhe.
“Kjo shtëpi kulture në fshatin tonë qe shumë vite është e lënë anash pavarësisht se këtu mbaheshin shfaqje kulturore, pra edhe e pamë, provoi edhe ta djegë dikush me themel…”, tha Labinot Shala, banor i Sllatinës.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Durim Hajra, thotë se për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, kjo ndërtesë ishte jofunksionale.
“Si shumë objekte që janë lënë në harresë është edhe kjo që u djeg dje. Ka 20 vite që nuk u investua asnjëherë në të, vërehet që kjo qeverisje nuk e ka prioritet kulturën dhe arsimin”, tha asamblisti i LV-së, Durim Hajra.
E për mungesën e mirëmbajtjes, drejtori i kulturës në Fushë-Kosovë, Ali Topalli, fajin e hedh tek Agjencia Kosovare Për Privatizim.
“Ai objekt ka qenë prej objekteve të vjetra, ne kur kemi tentuar të bëjmë renovime na kanë dalë probleme pronësore, sepse ajo është pronë e AKP-së dhe nuk na është lejuar të bëjmë një ndërhyrje të tillë”, tha drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Fushë Kosovë, Ali Topalli.
Hetimet për shkaktarin e zjarrit janë duke vazhduar.